29 anëtarë të Këshilli të Fakultetit Ekonomik votuan sot pro shkarkimit të dekanit të këtij Fakulteti, Fatos Ukajt.
Ky vendim është marr gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme që u mbajt në hapësirat e Fakultetit dhe vendimi i është dërguar Senatit të Universitetit të Prishtinës për aprovim.
Anëtari i këtij Këshilli, Valentin Toçi tha se shkarkimi i dekanit është iniciuar, pasi sipas tij, Ukaj nuk ka ushtruar detyrën siç duhet.
Pamundësia për ta ushtruar detyrën e dekanit si dhe mosmenaxhimi i mirë i Fakultetit duke rrezikuar fakultetin e konkursin për studentë të rinj, mos zgjedhja e prodekanëve dhe dështimi për studimet e doktoratës janë disa nga arsyet për shkarkim”, tha ai.
KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme se ishte thirrur një mbledhje në të cilën do të diskutohej për gjendjen në Fakultetin Ekonomik.
Për këtë mbledhje, dekani i Fakultetit Ekonomik, Fatos Ukaj kishte thënë se po bëhet nga ‘grupe tendencioze’.
Fakulteti Ekonomik filloi të këtë probleme qysh nga qershori i këtij viti, kur edhe u hap konkursi për staf akademik. Nga ajo kohë, një pjesë e Këshillit të Fakultetit Ekonomik, sipas dekanit, dolën kundër tij. Kjo çështje ishte ngritur edhe në mbledhjen e 14 tetorit në Senat nga ana e Dekanit, Fatos Ukaj.
Fakulteti tash e disa muaj ka qenë edhe pa prodekanë të emëruar, pasi ata kishin dhënë dorëheqje.
Vendimi përfundimtar për shkarkimin e Dekanit, Fatos Ukaj do ta marr Senati i Universitetit të Prishtinës.
Sipas statutit të UP-së, në nenin 70, pika 4 thuhet se “Vendimi për shkarkimin e dekanit merret nga Senati pasi të jetë bërë konsultimi me këshillin e fakultetit përkatës. Vendimi i Senatit merret me shumicën e kualifikuar të 2/3 të anëtarëve”./kallxo.com/