KEDS/KESCO importoi 4 milionë euro energji elektrike vetëm javën e fundit të nëntorit

Vetëm javën e fundit të muajit nëntor KEDS/KESCO importoi 4 milionë euro energji elektrike. Se sa janë rritur çmimet tregon fakti që nëse krahasojmë me të gjithë muajin nëntor të vitin 2020, importi i energjisë elektrike ka qenë 2.3 milionë euro.

Pra, sivjet importi i një jave po kushton 4 milionë, kurse para dy vitesh ka kushtuar rreth 500 mijë euro një javë apo 8 fish më pak.

Kjo ka ndodhur pasi çmimet e energjisë në tregjet ndërkombëtare janë rritur shumë javën e fundit. Për energjinë e kohës së pikut, nga rreth 250 euro për megavat/orë kanë arritur në 475 euro për megavat/orë, pra gati dyfishim në krahasim me javët më herët.

Shifrat e tilla rrisin paparashikueshmërinë dhe thellojnë gjendjen emergjente në të cilin ndodhet sistemi elektroenergjetik i Kosovës tash e më tepër se një vit, krizë kjo e importuar nga jashtë, që më së keqi ka goditur Evropën.

Zgjidhja e vetme në këto rrethana mbetet kursimi sa më i madh i energjisë elektrike, në mënyrë që efektet e importit të ndihen sa më pak. Kosova prodhon deri në 800 MW/h, ndërsa gjatë fundit të nëntorit kërkesa vazhdimisht ka arritur në mbi 1000 MW/h. Pra, qysh tash nevojitet import i latë për ta mbuluar gepin ndërmjet prodhimit dhe konsumit.

KEDS/KESCO në vazhdimësi po angazhohen që përmes fushatave dhe takimeve me akterë të ndryshëm, të informojmë konsumatorët se si mund të kursejnë, duke përfshirë kështu konsumatorët shtëpiakë, shkollat, qendrat tregtare, industrinë, dyqanet e vogla, gastronominë e institucione të ndryshme.

Por, efektet duhet të jenë më të larta pasi, pos rritjes së çmimit në berzat ndërkombëtare, konsumi javën e fundit të nëntorit është rritur në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Pra, pavarësisht kampanjave të panumërta për kursim dhe subvencioneve nga qeveria për ta stimuluar kursimin, javën e fundit, kur u ftoh koha, u pa që nuk ka ulje, por rritje të konsumit në krahasim me fundnëntorin e vitit 2021. Rritja mund të jetë edhe më e madhe me uljen e mëtutjeshme të temperaturave, pasi një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve kanë zgjedhur si alternative ngrohjen me energji elektrike. Kjo po ndodhë, pavarësisht faktit kur dihet se ngrohja me energji elektrike është një prej sfidave më të mëdha.

Gjithsesi, ndonëse me shumë vështirësi dhe pengesa të vazhdueshme që kemi gjatë rrugës, ne po mundohemi të bëjmë më të mirën, ani pse financat tona po shteren me trendin e rritjes së çmimit të importit në berzat ndërkombëtare.

Ju rekomandojmë