Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka marrë sot Vendim për operacionalizimin e masës 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar. Me anë të kësaj mase, të gjithë personat që marrin kredi konsumuese deri në shumën 10,000 euro, nga data 1 tetor 2021 e tutje, mund të aplikojnë për subvencionim të kredisë.
Shuma e subvencionimit për secilin aplikues që kualifikohet është 10% e shumës totale të kredisë, deri në maksimumin prej 300 euro. Të interesuarit për përfitim nga kjo masë fillimisht duhet të marrin kredinë në ndonjërën nga institucionet financiare të lincencuara në Kosovë, e pastaj të plotësojnë formularin për aplikim (i cili do të publikohet ditët në vijim). Pas konfirmimit të saktësisë së aplikacionit, subvencioni paguhet në llogarinë bankare të kredimarrësit.
Operacionalizimi i kësaj mase synon mbështetjen e likuiditetit familjar, për të mbuluar shpenzimet sezonale familjare, shpenzimet e shkollës, apo edhe mbylljen e bilanceve të kartelave kreditore, apo çfarëdo shpenzimi tjetër që sadopak do të lehtësonte barrën e familjes.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me vizionin e Qeverisë, mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e masave që kanë për synim mbështetjen e familjes dhe ngritjen e mirëqenies për të gjithë qytetarët.
Shembull:
Nëse kredia është 1,500 euro, subvencionimi do të jetë 150 euro;
Nëse kredia është 3,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro;
Nëse kredia është 5,000 euro, subvencionimi do të jetë 300 euro.
Çka duhet të bëni për të përfituar?
Pasi të keni marrë kredinë nga një institucion financiar i licencuar, duhet të plotësoni formularin për aplikimit e gjeni në E-kosova tek familja:
https://ekosova.rks-gov.net/