Reklama

Juristë të papunë, e rrobaqepës pak

“Jam lodhur duke kërkuar punë në profesionin tim”, thotë Egzon Ahmeti i cili ka kryer master në Juridik.

Egzoni ka përfunduar studimet një vit më parë në Universitetin e Prishtinës dhe nga ajo kohë thotë se është në kërkim të një pune të rregullt në profesionin për të cilin ka studiuar.

“Ka shumë juristë të diplomuar, kërkesa për punë është e madhe”, thotë Egzoni, i cili aktualisht është duke bërë një praktikë pune gjashtë muaj me pagesë në Departamentin për Punë Sociale në Viti.

“Kisha pasur dëshirë të kem një punë të rregullt, jo çdo gjashtë muaj të aplikoj tek Agjencia e Punësimit – është maltretim”, thotë ai.

Profesioni i juristit është në mesin e disa profesioneve që tash për tash nuk janë shumë të kërkuara në tregun e punës në Kosovë. Aktualisht, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës janë 3.799 studentë dhe në vitin akademik 2022/2023 janë pranuar edhe 500 studentë të rinj.

Por, pa punë kurrë nuk ka mbetur Luljeta Caka, e cila është aftësuar në zanatin e rrobaqepësisë.

“Jam punësuar menjëherë”, thotë ajo.

Sektori i tekstilit, ai i përpunimit të drurit, metalit, i fushës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si dhe ai digjitalizimit, janë profesione në mungesë për tregun e punës në Kosovë sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Ju rekomandojmë