Inflacioni në Kosovë ka shënuar rritje në muajin dhjetor 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), norma vjetore e inflacionit, e matur përmes Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), ka arritur në 5,3 për qind, krahasuar me dhjetorin e vitit 2024.
Në krahasim mujor, IHÇK ka shënuar rritje prej 0,7 për qind në dhjetor, krahasuar me muajin nëntor. Kjo rritje është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i energjisë elektrike me 8,7 për qind, biletave të fluturimeve me 8,4 për qind, lëndëve djegëse të ngurta si druri i zjarrit dhe peleti me 3,0 për qind, si dhe perimeve dhe transportit rrugor.
Rritje e çmimeve është regjistruar edhe te veshja, mishi, produktet e qumështit dhe mallrat për mirëmbajtjen e ekonomive shtëpiake. Në anën tjetër, rënie mujore e çmimeve është vërejtur vetëm te karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, me 1,3 për qind.
Në bazë vjetore, përveç energjisë elektrike, rritje të theksuar kanë shënuar çmimet e pemëve, mishit, shërbimeve të lidhura me transportin personal dhe pushimeve të organizuara. Sipas ASK-së, gjatë vitit 2025 inflacioni mesatar vjetor ishte 3,9 për qind më i lartë krahasuar me vitin 2024, ndërsa rënie vjetore e çmimeve është regjistruar vetëm te karburantet dhe lubrifikantët për transport personal. /Buletini Ekonomik/


