Mungesa e investimeve të huaja dhe kriza energjetike mbeten çështje që duhen adresuar sipas ekspertëve të ekonomisë.
Viti 2021, përveç që konsiderohet i brishtë për ekonominë kosovare, karakterizohet edhe me rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, çmime këto që kanë vështirësuar sigurimin e artikujve të nevojshëm për shumë qytetarë. Norma vjetore e inflacionit në muajin nëntor të vitit që lamë pas ka arritur në 6.9 për qind, sa ka qenë 0.1 për qind në periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Si rrjedhojë e krizës globale energjetike, edhe Kosova u sfidua së fundmi me mungesë të furnizimit të rregullt të energjisë elektrike. Për këtë çështje pati akuza dhe kritika nga partitë opozitare dhe shoqëria civile në drejtim të Qeverisë së Kosovës që nuk mori masat e nevojshme në kohë.
Kabineti qeveritar fajësoi qeveritë e kaluara për gjendjen e rëndë të kapaciteteve prodhuese energjetike në vend.
Si rrjedhojë, në dhjetor vendit iu rikthye terri dhe zhurma e gjeneratorëve nga bizneset dhe qytetarët për shkak të reduktimeve të energjisë. Ndërkaq, me propozim të ekzekutivit, Kuvendi shpalli të mërkurën gjendjen emergjente të energjisë për 60 ditë.
Në anën tjetër, si arritje e madhe për vendin, në vitin që lamë pas u konsiderua rritja ekonomike prej 9.9 për qind, normë kjo që sipas kryeministrit Albin Kurti është e pashembullt që nga paslufta. Përveç kësaj, Kurti ka vlerësuar të suksesshëm vitin 2021 edhe në aspektin e rritjes së të hyrave buxhetore nga Dogana dhe ATK-ja. Më 17 dhjetor, Kuvendi miratoi buxhetin 2022 të planifikuar nga ekzekutivi me mbi 2.7 miliardë euro ose rreth 9 për qind më i lartë se ai i vitit paraprak.
Trendi i rritjes ekonomike, dyshifrore, po cilësohet si normë nominale nga drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.
Zeka ka thënë për KosovaPress se kryeministri Kurti dhe vartësit e tij nuk duhet të ndjehen të vetëkënaqur me këtë shkallë të rritjes ekonomike, pasi sipas tij, kjo i dedikohet konsumit të lartë, remitancave dhe ardhjes së bashkatdhetarëve në numër të madh përgjatë verës së vitit 2021.Madje, ai ka kërkuar nga Qeveria që në vitin 2022 të ketë më shumë investime kapitale, sepse siç thotë ai, tkurrja e investimeve nga kjo qeveri rrezikon ndërmarrjet e sektorit privat dhe mbylljen e vendeve të punës.
“Është një lajm i mirë që megjithatë u përmbushën parashikimet e qeverisë për një rritje ekonomike prej rreth 10 për qind. Megjithatë, ne duhet të sqarohemi dhe t’ia bëjmë publikut me dije se po flasim për një rritje nominale. Rritja reale, natyrisht që duhet të ketë parasysh edhe faktor të tjerë ekonomikë, përfshirë këtu edhe inflacionin. Norma e inflacionit përgjatë këtij viti ka qenë relativisht e lartë. Kështu që kjo nuk duhet të na jep asnjë, as drejtuesve të institucioneve kurrë farë ndjenje të vetëkënaqësisë. Është ndoshta një sinjal që ne duhet të punojmë shumë më tepër në vitin 2022, të fokusohemi në aspekte të tjera që kanë ndikuar në rritjen ekonomike që e kemi pasur gjatë viteve të fundit, përfshirë këtu edhe investimet kapitale, të cilat duket se prej qeverisë së re e tutje nuk kanë qenë në nivele të kënaqshme. Një numër i madh i ndërmarrjeve të sektorit privat mbeten të varura nga aktivitetet e prokurimit dhe kështu tkurrja ose mos shtyrja përpara e investimeve kapitale natyrisht që le shumë prej ndërmarrjeve pa projekte, pa të hyra dhe rrjedhimisht kjo rrezikon edhe mbylljen e vendeve të punës”, thekson Zeka.
Profesoresha universitare Albulenë Kastrati, po konsideron se kjo qeveri ka disa merita për rritjen sadopak të disiplinës fiskale dhe për rritjen e të hyrave buxhetore.
Megjithatë ajo thekson se trendi i rritjes ekonomike nuk është i pazakonshëm edhe për vendet e rajonit. Derisa tregon se Kosova nuk do të ketë vitin tjetër normë ekonomike kaq të lartë, siç thotë ajo, jo më shumë se 4 për qind.
Kastrati kritikoi qeverinë për investimet e huaja, të cilat sipas saj mbeten ende në trendin e ulët.
“Trendi i rritjes reale ekonomike nuk është i pazakonshëm edhe për vendet e rajonit. Për shkak se viti 2021 i mbledh edhe efektet e vitit 2020. Mirëpo, për t’i marrë meritat për këtë rritje të lartë, duhet të shohim se a do të mund të vazhdojmë të mbajmë ritmin e rritjes së lartë. Për shkak se parashikimet e Bankës Botërore, janë që ne përsëri do të kthehemi në mesataren e viteve (të mëparshme) rreth 4 për qind rritje vjetore. Edhe kjo për shkak se ne e kemi edhe strukturën e ekonomisë asisoj, kryesisht bazuar në shërbime dhe tregti, e jo në prodhim.
Megjithatë janë disa pika për lëvdatë, që është rritur pak disiplina fiskale, janë rritur të hyrat buxhetore. Janë bërë disa ngjarje vjetore, p.sh. për mjekësi, për barna esenciale. […] Megjithatë çka mbetet kritike, edhe kritikë për qeverinë janë, sepse investimet e huaja mbeten të ulëta siç kanë qenë në vitet e kaluara”, thotë Kastrati.
Përveç çështjes së energjisë, profesoresha Kastrati theksoi se sfidë tjetër mbetet edhe hapja e vendeve të reja të punës.
“Fillimisht infrastruktura energjetike, meqenëse në momentin që po flasim jemi në një krizë energjetike. Sfidë tjetër, siç thash është me sjellë investitorë të rinjtë që sjellin edhe kapital, por edhe hapin vende të reja të punës.
Sfidë tjetër është të transformojmë dalëngadalë një ekonomi, prej ekonomisë shërbyese e tregtare, në një ekonomi prodhuese që kësisoj ta rrisim edhe kapacitetin e potencialeve ekonomike, rriten pastaj edhe të hyrat personale, por edhe të hyrat buxhetore.
Sfidë tjetër, është edhe të krijojmë aftësi për të rinjtë që përkojnë me tregun e punës. Sfidë, po ashtu edhe të ndalet ikja e rinisë dhe trurit jashtë. Përfundimisht sfidë, dhe pikë shumë e rëndësishme është zbatimi i ligjit në mënyrë sa më rigoroze”, thotë ajo.
Edhe profesori universitar Muhamet Sadiku ka thënë se dobësimi i aktivitetit ekonomik, papunësia dhe varfëria janë probleme serioze të Kosovës, të cilat siç thotë ai, vështirë se do të zgjidhen në një periudhë të shkurtër kohore.
“Kosova, gjithnjë në një periudhë të gjatë kohore, ka qenë e sfiduar me papunësi dhe varfëri. Kanë kaluar vite të tëra dhe Kosova vështirë e ka pasur që t’i zbusë këto dy probleme. Kështu duhet shtuar edhe dy vitet e fundit me ndikimet e mëdha që ka pasur pandemia, me largimin nga puna, rënia e qarkullimit, rënia po ashtu e konsumit. Pastaj në përgjithësi dobësimi i aktivitetit ekonomik dhe të gjitha këto probleme të Kosovës janë vërtet serioze dhe vështirë për t’u zgjidhur në një periudhë të shkurtër kohore. Kërkohet një reagim qeveritar afatmesëm në mënyrë që në Kosovë të fillojnë të zgjidhen këto probleme të mëdha sepse të gjitha ndërlidhen me funksionimin dhe ndërtimin e shtetit ligjor”, tha Sadiku.
Eksperti i ekonomisë, njëherësh ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj ka thënë se problemet në sektorin e energjisë, nuk pritet të zgjidhen në dhjetë vitet e ardhshme.
Energjia është problem që nga viti 2000, si duket edhe për dhjetë vjet nuk do të merr zgjidhje. Pres nga kjo Qeveri që së pari ta liberalizojë tregun energjetik në Kosovë. Rregullatori i energjisë të krijojë kushte të favorshme për afarizmin në fushën e energjisë jo vetëm të KEDS-it, por edhe të operatorëve të tjerë, dhe së treti të krijohen mundësi që të ketë gjenerime të reja energjetike jo vetëm nga karboni, por edhe nga energjia e ripërtëritshme”, thotë ai.
Përveç gjendjes së rëndë të kompanive private për shkak të ndikimeve edhe nga pandemia COVID-19 dhe klima jo e favorshme për të bërë biznes, një gjendje e vështirë vazhdoi edhe për kompanitë publike, si Telekomi i Kosovës, Trepça dhe së fundmi KEK-u, si pasojë e avarive që kanë ndodhur në Termocentralin Kosova B, veçanërisht në njësinë “B2”. Për Telekomin dhe Trepçën, ekzekutivi ka paraparë edhe mbështetjen e tyre me disa milionë euro. Ndërsa, së fundmi qeveria ka ndarë 20 milionë euro për KEK-un.
Si pasojë e kësaj krize energjetike, muaj më parë është mbyllur kompania “Ferronikeli” në Drenas.
Kujtojmë, se me rekomandim të Kuvendit të Kosovës, ishin ndarë 11 milionë euro nga kompania KOSTT për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore. Nuk mbeti vetëm me kaq, pasi KOSTT deri në fund të vitit 2021 ndau edhe 6 milionë të tjerë, në total rreth 17 milionë euro për rrymën në veri. Derisa kërkesa e KOSTT-it për ndarjet buxhetore edhe të 33 milionë eurove nga Qeveria për rrymën në veri, është refuzuar nga Kuvendi në kohën kur është votuar buxheti 2022. /KP/