Organizata joqeveritare Human Rights Watch ka paralajmwruar se autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë dështuar të trajtojnë ndotjen e tmerrshme të ajrit në vend, e cila vret mijëra njerëz para kohe çdo vit dhe është e dëmshme për shëndetin e mijëra të tjerëve.
Mbështetja e vendit te qymyri dhe druri për ngrohje dhe qymyri për prodhimin e energjisë elektrike i bën qytetet në Bosnje dhe Hercegovinë disa nga më të ndoturat në botë gjatë muajve të dimrit.
Vendi ka shkallën e pestë më të lartë të vdekshmërisë nga ndotja e ajrit, njofton Klan Kosova.
“Një mbështetje e vjetërsuar te qymyri në Bosnjë dhe Hercegovinë po vret mijëra njerëz çdo vit, ndërkohë që autoritetet bëjnë pak për të parandaluar problemin apo edhe për të paralajmëruar njerëzit për rrezikun ndaj shëndetit të tyre”, tha Felix Horne, studiues i lartë i mjedisit në Human Rights Watch.
“Me sezonin e ndotjes së ajrit vetëm pak muaj larg, nuk ka kohë për të humbur për të filluar të bësh ndryshime.”
Gjatë muajve të dimrit, nivelet e grimcave të imta, dioksidit të azotit, dioksidit të squfurit dhe ndotësve të tjerë vdekjeprurës rregullisht tejkalojnë atë që Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se është e sigurt për shëndetin e njeriut. Çdo vit, rreth 3,300 njerëz në vend vdesin para kohe nga ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit – 9 për qind e të gjitha vdekjeve, sipas Bankës Botërore.
Mijëra të tjerë jetojnë me kushte të shtuara të frymëmarrjes dhe kardiovaskulare. Të moshuarit dhe fëmijët janë veçanërisht të rrezikuar.