Reklama

Grupi i G7 do të vazhdojë sanksionet kundër Rusisë: “Më shumë mbështetje financiare edhe për Ukrainën”

Grupi i Shtatë Shteteve më të Industrializuara (G7) është gati për “veprime të shpejta” të mëtejshme kundër Rusisë dhe është i përkushtuar të mbështesë “në mënyrë të konsiderueshme” financiarisht Ukrainën.

“Midis 2014 dhe 2021, partnerët ndërkombëtarë ofruan mbështetje financiare për Ukrainën me vlerë që tejkalonte 48 miliardë dollarët”, thanë shefat e financave të G-7 dhe guvernatorët e bankave qendrore në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve virtuale të martën, ku mori pjesë edhe ministri i financave të Ukrainës, Sergii Marchenko. “Ne kemi vazhduar të rrisim mbështetjen tonë në 2022.”

Pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë, SHBA dhe aleatët e saj lëshuan një mur sanksionesh të mbivendosura ndaj Rusisë. Këto kufizime — të vendosura gjatë fundjavës dhe duke synuar bankat, kompanitë dhe individët — çuan në një kolaps të rublës dhe e shtynë bankën qendrore në Moskë të vendosë kontrolle kapitali për të shmangur panikun e investitorëve dhe për të mbështetur ekonominë.

“Ne po fokusohemi në maksimizimin e dëmit për ekonominë ruse, për mbështetësit e Putinit dhe për tregjet ruse të kapitalit”, tha ministri gjerman i financave Christian Lindner, vendi i të cilit kryeson G-7 këtë vit. “Të gjitha masat që po marrim kanë për qëllim reduktimin e kapacitetit të Rusisë për të zhvilluar këtë luftë”.

Guvernatorja e Bankës së Rusisë, Elvira Nabiullina, ka pranuar se sanksionet e vendosura ndaj bankës qendrore nënkuptonin se ajo nuk mund të ndërhynte për të mbajtur rublën nga kolapsi të hënën.

“Është e rëndësishme që kufizimi i aktiviteteve të bankës qendrore ruse të ketë qenë tashmë më efektiv nga sa prisnim,” u tha Lindner gazetarëve në Berlin. “Rubla është në rënie të lirë dhe gjoksi i luftës i Vladimir Putin është prekur rëndë. Kjo masë ka ndikim të kufizuar tek ne, por ndikim maksimal në Rusi. Çështjet e tjera teknike do të diskutohen shumë shpejt.”

/Business Magazine Albania/

Ju rekomandojmë