Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) tash gati e një vit ka mbetur jofunksional si pasojë e mos zgjedhjes së Bordit të këtij institucioni. Në sirtarët e këtij institucioni kanë mbetur 626 ankesa të operatorëve ekonomik pa u shqyrtuar.
Kështu kanë thënë për Telegrafin në një përgjigje me shkrim nga OSHP-ja.
“Prej datës 1 prill 2021 kur institucioni ynë ka mbetur pa Bord deri me datën 31 dhjetor 2021 kanë mbetur pa u shqyrtuar gjithsejtë 626 ankesa të operatorëve ekonomik për aktivitete të ndryshme të prokurimit”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.
Tentativat për ta funksionalizuar Bordin e OSHP-së ishin bërë me hapjen e konkursit më 26 maj, por në Kuvend më 6 dhjetor 2021 përfundimisht dështoi procesi i emërimit të kryetarit dhe anëtarëve.
Votimi dështoi për dy herë radhazi. Herën e parë dështoi më 23 nëntor për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa më 6 dhjetor 2021 dështoi emërimi i tyre pasi ishin vetëm dy vota për dhe 64 kundër dhe një abstenim.
Pas dështimit të këtij procesi, Ambasada e Britanisë së Madhe e cila ka qenë pjesëmarrëse në përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të bordit të OSHP-së dhe kryetarit të këtij institucioni, bëri të ditur se nuk do t’i asistojë më Qeverisë së Kosovës në procesin e ri për rekrutimin e Bordit të OSHP-së.
Përfaqësuesit e Ambasadës së Britanisë së Madhe që kishin asistuar në këtë projekt kishin vlerësuar se dy gra i plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e bordit të Gjykatës së Tenderëve.
Vjosa Gradinaj- Mexhuani dhe Shqipe Hoti kishin marrë pikët e mjaftueshme nga ekspertët britanikë për të qenë pjesë e Bordit të Gjykatës së Tenderëve.
Por pavarësisht kësaj, komisioni vendor i përbërë nga tre gjyqtarë i kishte dërguar në Kuvend vetëm 5 emra për pesë pozita: 1 për kryetar dhe 4 të tjerë për anëtarë.
Për kryetar të bordit të OSHP-së, komisioni vendor e ka dërguar në Kuvend kandidatin Ardian Behra, të cilin e kishin poentuar me 32.3 pikë. Kurse për anëtarë të Bordit janë rekomanduar Hasim Krasniqi me 28.7 pikë, Faruk Rexhaj me 28 pikë, Adem Spahiu me 26.3 pikë dhe Ruzhdi Morina me 26 pikë.
E zvarritja e këtij procesi nga opozita po shihet si tentim i Qeverisë për të kapur edhe këtë institucion të pavarur.
Deputeti i LDK-së, njëherit zëvendëskryetar i Komisionit për Legjislacion, Driton Selmanaj tha për Telegrafin se vonesa e funksionalizimit të këtij institucioni ka pasoja të mëdha.
“Në bazë të asaj që ndodhi në Kuvend, ku u sollën propozimet e Qeverisë dhe shumica parlamentare i refuzoi ato e që i bie vetë Qeveria e Kosovës i refuzoi ato në Kuvend, është tentim i tyre për të kapë të gjitha institucionet. Pasojat janë shumë të mëdha sepse është një institucion që merr vendime të rëndësishme për shumë projekte të rëndësishme kapitale”, u shpreh Selmanaj.
Ai shtoi se janë në pritje qindra miliona euro investime të projektuara paraprakisht por që kanë mbetur pa trajtim sepse nuk ka kuorum për të marrë vendime brenda OSHP-së.
“Kjo është përpjekja e radhës e kësaj qeverie për të kapur edhe këtë institucion të pavarur dhe mos-siguria e tyre që propozimet e tyre janë vërtetë janë njerëz të duhur e dështuan në Kuvend. Ky prolongim kaq i gjatë ka shumë pasoja në realizimin e shumë projekteve kapitale që kanë qenë në proces, por që kanë mbetur tash e një kohë pa u realizuar shkaku i papërgjegjësisë dhe qasjes së qeverisë dhe shumicës parlamentare në Kuvend”, tha deputeti Selmanaj.
Telegrafi ka provuar të marrë qëndrim edhe nga dy partitë e tjera opozitare por të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Mexhide Demolli – Nimani nga Lëvizja Fol ka thënë për Telegrafin i ka bërë thirrje qeverisë që sa më parë të përfundoj procesi i emërimit të bordit të OSHP-së duke marrë parasysh rëndësinë që ka ky institucion.
“Fatkeqësisht ky institucion ka më se një vit që ka mbetur pa bord dhe për pasoj ka qenë edhe institucion jo funksional. Duke ditur rëndësinë e funksionimit të OSHP-së, në i bëjmë thirrje që ky proces të marrë fund sa më parë, sepse ka qindra ankesa të operatorëve ekonomik që janë grumbulluar gjatë kësaj periudhe dhe presin trajtim”, ka deklaruar Demolli – Nimani.
Ajo ka shtuar se përderisa ky institucion nuk mund ti trajtoj këto ankesa, vije deri te zvarritja e realizimit të shumë projekteve dhe investimeve kapitale të parapara të realizohen.
“Andaj është tepër e rëndësishme që institucionet përgjegjëse ti japin prioritet zgjedhjes së këtij bordi në mënyrë që të funksionalizohet ky institucion, dhe të mos ndodh të kemi raste kur autoritetet kontraktuese të nënshkruajnë kontrata pa përfillur ankesat eventuale të operatoreve ekonomik”, u shpreh ajo.
Problematike mos funksionalizimin e OSHP-së e sheh edhe Arbelina Dedushaj hulumtuese nga Demokracia Plus. Ajo për Telegrafin ka theksuar se mungesa e Bordit është duke i dëmtuar shumë projekte, sidomos ato kapitale, të cilat kanë qenë të parapara të implementohen, mirëpo për shkak të ankesave të parashtruara nga kompanitë pjesëmarrëse, të njëjtat po pezullohen.
“Pezullimi i projekteve të tilla e dëmtojnë zhvillimin ekonomik dhe jetën e qytetarit të Kosovës në përgjithësi”, tha Dedushaj.
Ajo shtoi se mosfunksionimi i kësaj “gjykate të tenderëve” po i prodhon efektet e saja negative, e atë në shumë dimensione.
“Nga njëra anë, janë grumbulluar rreth 700 ankesa që nga skadimi i mandatit të ish-bordit, për të cilat ankesa, kompanitë duket të paguajnë tarifa dhe të njëjtat nuk u kthehen deri në një vendim që duhet të vijë nga paneli shqyrtues i OSHP-së. Sipas informatave që kemi, llogariten rreth 1 milion euro që u janë bllokuara këtyre kompanive ankuese vetëm për dorëzimin e ankesave. Nga ana tjetër, rreziku më i madh konsiderohet shpërblimi me kontrata i kompanive të papërgjegjshme, duke përfituar kështu nga mungesa e Bordit”, ka shtuar ajo.
Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Kryeministrit por deri më tani kur po raportojmë nuk kemi pranuar përgjigje.
Organi Shqyrtues i Prokurimit është organ i pavarur dhe shqyrton të gjitha ankesat e parashtruara me shkrim nga operatorët ekonomik për proceset e prokurimit.
OSHP-ja ka kompetencë, autoritet, pushtet dhe përgjegjësi që të shqyrtojnë ankesat nga palët e interesuara lidhur me shkeljet e mundshme të Autoriteteve Kontraktuese dhe si rrjedhojë mund të kërkojë nga Autoritetet që aktiviteti i prokurimit të kthehet në ri-vlerësim dhe të kërkojë nga to që të anulohet aktiviteti i prokurimit si dhe të aprovoj vendimin e Autoriteteve Kontraktuese. /Telegrafi/