Reklama

Gazsjellësi Nord Stream II shkarkon të gjithë punëtorët në Zvicër

Njoftohet se gazsjellësi gjermano-rus Nord Stream II ka shkarkuar të gjithë punëtorët e saj në Zvicër.

Siç raportojnë mediet zvicerane, ky veprim është ndërmarr pak minuta përpara se të fillojë seanca e Parlamentit shtetëror në Schwerin.

Operatori i gazsjellësit është i vendosur në kantonin zviceran të Zug për arsye tatimore.

Nord Stream II është një tubacion – në vlerë prej 11 miliardë dollarësh – i projektuar për dërgimin e gazit natyror nga Rusia në Gjermani, nëpërmjet Detit Baltik.

Projekti ka shumë kritikë, të cilët thonë se ai do ta rriste varësinë e BE-së nga gazi rus, ndërkohë që do ta privonte Ukrainën nga tarifat jetike të tranzitit, që merr nga tubacionet ekzistuese në territorin e saj.

Pas lëvizjeve të fundit të Kremlinit kundër Ukrainës, kancelari gjerman Olaf Scholz, ka njoftuar se Berlini ka pezulluar certifikimin e gazsjellësit. /Telegrafi/

Ju rekomandojmë