Që nga fillimi i krizës në Ukrainë, ka pasur turbulenca në çmimet e naftës dhe gazit në tregun botëror.
Megjithatë, sipas marrëveshjes për gazin me Rusinë, Serbia ka një çmim të gazit që është dukshëm më i ulët se çmimi i tregut për momentin.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar në nëntor të vitit 2021 se në gjashtë muajt e ardhshëm çmimi i gazit për Serbinë nuk do të ndryshojë dhe do të jetë 270 dollarë për metër kub. Këtë deklaratë ai e bëri pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Sochi.
Serbia është plotësisht e varur nga gazi rus. Kontrata dhjetëvjeçare me kompaninë shtetërore ruse të gazit, Gazprom skadoi në fund të vitit 2021 dhe është duke u negociuar një marrëveshje e re. Nga 1 janari i vitit 2021, Serbia iu bashkua gazsjellësit rus “Turk Stream”, duke vënë në punë “Rrjedhën Ballkanike”.
Filiali i Gazpromit rus në Serbi është Yugorosgaz dhe merret me transportin dhe shpërndarjen e gazit. Gazprom është përballur me sanksione perëndimore që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi ilegalisht gadishullin ukrainas të Krimesë.
Përveç gazit, Rusia ka monopolin edhe mbi prodhimin dhe shpërndarjen e naftës në Serbi.
Gjiganti i dikurshëm shtetëror, Industria e Naftës së Serbisë (NIS) është në pronësi të shumicës së kompanisë ruse Gazprom Neft, i cili është gjithashtu nën sanksionet perëndimore.
Për shkak të sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së, NIS nuk ka mundur të marrë kredi nga bankat perëndimore për të tetin vit radhazi, tregojnë raportet financiare të kompanisë.
Në Serbi operon edhe kompania ruse e naftës Lukoil, e cila është gjithashtu nën kufizimet perëndimore.
/Telegrafi/