Reklama

Favori i ZRrE-së për prodhuesit e BRE-ve: Pragu i jo balancave u ul nga 25% në 5%

Një vendim favorizues nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për prodhuesit e energjisë së ripërtëritshme ka dëmtuar konsumatorët e rrymës në Kosovë për rreth 5 milionë euro vetëm për tri vite.

Kjo gjetje del nga një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), që kishte audituar Fondin e Burimeve të Ripërtëritshme (BRE) për periudhën 2022-2024

Deri në vitin 2019, prodhuesit e BRE-ve kanë paguar deri në 25% të totalit të shpenzimeve që kanë shkaktuar me fajin e tyre nga jo balancat. Por në vitin 2019, një vendim i ZRrE-së i pa mbështetur në asnjë bazë ligjore, e uli pragun e jo balancave për prodhuesit e BRE-ve nga 25% në 5%. Sipas Auditorit, gjatë viteve 2022-2024, vetëm nga kjo diferencë konsumatorët u dëmtuan për 4.6 milionë euro.

Sipas Auditorit, ky vendim i ZRrE-së është në kundërshtim me Rregullën për Skemën Mbështetëse, që thotë se jo balancat e prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme llogariten me pragun 25%. Për me tepër, “kjo ka ulur motivimin e prodhuesve për të parashikuar saktë prodhimin, sepse ndëshkimi financiar për devijimet është më i ulët”.

Neni 11 i Rregulles per Skemen Mbeshtetese

“Nëse vlera e pagesës në emër të jo balancës nga prodhuesit tejkalon 5% e të hyrave të prodhuesit atëherë KOSTT obligohet që ti kthejë mbrapa tek prodhuesi mjetet financiare që janë mbi pragun 5% e të hyrave të prodhuesit”, thuhet në raport.

Nga ZRrE nuk janë përgjigjur në pyetjet mbi arsyet që i kanë shtyrë për ta marrë këtë vendim që përveç se është në kundërshtim me Rregullën për Skemën Mbështetëse, dëmtoi konsumatorët për 4.6 milionë euro.

Ndërsa, në komentet që ka dërguar te ZKA, ZRrE arsyeton vendimin si masë në kuadër të funksionit që ka Fondi për mbështetje të energjisë së ripërtëritshme.

“Sipas strukturës së tarifës, mbulimi i pjesës së mbetur të kostove të jobalancës përmes Fondit nuk përbën shpenzim shtesë të pajustifikuar, por zbatim të rregullt të funksionit të Fondit për mbështetje të energjisë së ripërtëritshme, siç është e paraparë me Ligjin për promovimin e BRE dhe aktet nënligjore përkatëse”, vlerëson ZRrE.

Ju rekomandojmë