Reklama
Faturat e energjisë që po shkurtojnë ushqimet e aktivitetet e qytetarëve
Pensionistë, qytetarë me të ardhura mesatare por edhe afaristë të vegjël e të mëdhenj kanë nisur t’i vërejnë efektet e rritjes së çmimit të energjisë që në muajin tetor dhe po presin me ankth faturat në muajt e ftohtë të dimrit kur një pjesë e madhe e qytetarëve e përdorin energjinë për ngrohje.
Mirjeta Shabani
Murat Gërbeshi, një pensionist 78 vjeçar nga Prishtina, i cili jeton me bashkëshorten, po ashtu pensioniste, me djalin me katër fëmijë dhe bashkëshorten e tij, thotë se faturat e rrymës ia kanë vështirësuar shumë gjendjen financiare familjes së tij.
Ai ka një pensionin prej 250 eurosh, bashkëshotja e tij deri tash ka marrë 120 euro pension bazik dhe të ardhurat e djalit, i punësuar në ndërtimtari, për muajin tetor, kur fare pak ka përdorur rrymën për ngrohje, ka paguar saktësisht 220 euro faturën mujore.
Ai nuk e ka fare të qartë, se si do t’ia dal të paguaj faturat e rrymës në muajt e dimrit, kur detyrimisht do të përdorin më shumë energji elektrike për ngrohje.
“Vitin e kaluar gjatë dimrit faturat mujore mesatarisht janë sjellë në nivelin e 350 eurove, ndërsa sivjet pas rritjes enorme të çmimit, sidomos për kategorinë e konsumatorëve që shpenzojnë përtej 800 kilovat-orëve, në të cilën domosdoshmërisht futem unë, kam frikë ta mendoj sa do të jetë fatura mujore,” thotë Gërbeshi për Buletini Ekonomik.
Në këtë mënyrë, fare pak të holla do të mbesin për jetesë, duke cunguar kështu aktivitetet e fëmijëve në familje.
Ai tregon se një nga mbesat është një futbolliste e talentuar 14 vjeçare dhe për stërvitjet e saj deri tash nuk ka kursyer, por e ka hallin nëse do ta ketë mundësinë tani e tutje të financojë trajnimet e mbesës së saj.
Gjithsesi, ndër më të cenueshmit nga ngritja e çmimit të rrymës janë pensionistët, të cilët tashmë si pasojë e çmimeve enorme të larta të produkteve elementare ushqimore dhe të energjisë elektrike e kanë të vështirësuar mbijetesën.
Edhe Hetem Maqedonci, pensionist me vendbanim në një banesë në Fushë-Kosovë i ndan pak a shumë të njëjtat halle me Gërbeshin.
Ai me pensionin e tij dhe me pensionin e vjetërsisë të bashkëshortes nuk ia del ta përmbyllë muajin me muaj, sado që kursen shumë, sidomos në shpenzimin e rrymës.
Maqedonci thotë se është bërë tejet i kujdesshëm që mos të përdorë pa karar energjinë elektrike për shkak të faturave të papërballueshme.
“Mjetet elektrike, edhe ato më të nevojshmet, i aktivizoj vetëm kur është e domosdoshme, ndërsa bojlerin vetëm në rastet kur duhet të pastrohem”, thotë ai për Buletini Ekonomik.
Ndërsa për të lehtësuar mbijetesën ai krahas pensionit, punon një punë shtesë në Organizatën e Pensionistëve dhe Invalidëve të Luftës, dega në Prishtinë. Ai përkujdeset për mbarëvajtjen në ambientet e pensionistëve, kur pensionistët luajnë shah në shumicën e orëve të ditës.
“Rritja që shkakton reduktim të ushqimeve”
Por nuk janë vetëm pensionistët që kanë të ardhura të ulëta e që është bërë barrë pagesa e faturave të energjisë pas rritjes së çmimit të energjisë dhe që frikësohen nga dimri i gjatë e me fatura të fryra të energjisë.
Naser Xhaka, banor në rrugën C të kryeqytetit, i papunë për momentin, por me një familje me të ardhura mesatare, tregon për Buletinin Ekonomik se para ngritjes së çmimit të rrymës, familja e tij ka paguar faturat mujore nga 50 deri 62 euro, ndërsa tani paguan mesatarish rreth 80 euro, dhe në raste edhe përtej.
Në këtë mënyrë, sipas llogarive të tij faturat del të jenë rritur prej 20 deri 30 për qind dhe jo 16,1 për qind sa është proklamuar të jetë ndikimi i rritjes në muajin prill.
Kjo rritje te familja e Naserit është reflektuar edhe në kohën e verës kur shpenzimet për energji janë më të ulëta, por gjatë muajve të periudhës së dimrit ai vlerëson se shpenzimet për konsum të energjisë elektrike do të shumëfishohen.
“Patjetër që gjatë muajve të dimrit faturat e rrymës do të kenë ndikim jo të vogël në buxhetin e familjes dhe do të ndikojë në reduktimin e kushtëzuar të produkteve të tjera edhe atyre të domosdoshme”, thotë ai për Buletinin Ekonomik.
Rritja e çmimit të energjisë që fryen faturat
Ndërsa ndikimi indirekt, poashtu me përmasa të ndjeshme të varfërimit të kosovarëve, është ngritja zingjirore e çmimit të shumë produkteve dhe shërbimeve të tjera në Kosovë, i diktuar edhe nga çmimi i ngritur i rrymës.
Flamur Thaçi, bashkëpronar në Restaurantin “Boheme” në Prishtinë i ka thënë Buletinit Ekonomik se ngritja e çmimit të energjisë elektrike ka rritur shpenzimet në biznesin e tyre për mbi 50 për qind.
Sipas Thaçit, faturat e energjisë elektrike, të cilat deri në ngritjen e çmimit silleshin deri në 200 euro, me rritjen e çmimit të energjisë kanë tejkaluar mbi 300 euro.
Derisa rritja e faturës së energjisë një një restant modest në Prishtinë ka shkuar në mbi 50 përqind, Thaçi ankohet se edhe produktet tjera për përgatitjen e gjellërave që servohen në këtë restaurant kanë pësuar rritje enorme.
“Pothuajse të gjitha produktet e domosdoshme për përgatitjen e ushqimeve të kërkuara nga klientela pas ngritjes së çmimit të energjisë elektrike i blejmë me çmimi përtej dyfishit, e disa edhe nga 4-5 fish më shtrenjtë,” rrëfen ai.
Ai e materializon shembullin duke treguar rritjen e mishit të pulës që përdoret gjerësisht në pjata që shërbehen nga kuzhina e tij.
“Para shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike, një paketim të mishit të pulës i cili peshon 12 kilogramë e kemi blerë rëndon me çmimin nga 28, 30 e 32 euro, ndërsa tani të njejtin produkt e paguajmë saktësisht 58, 60 dhe 62 euro,” tregon ai.
Edhe furnitorët, sipas Thaçit, kanë shpenzime të rritura pas çmimit të ngritur të energjisë elektrike. Ata për t’i mbajtur në funksion frigoriferët kolosal paguajnë shumë para për faturat e rrymës.
Edhe sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, të publikuar nga ASK-ja vërehet ndryshimi nga viti në vit.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 5,1% në muajin tetor 2025, krahasuar me muajin tetor 2024,” thuhet në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit.
ASK-ja nuk evidencon të dhëna për ndikimin e çmimit të ngritur të energjisë në gjithë këtë mesatare të lartë të ngritjes së çmimeve të konsumit në muajin tetor, por ekspertët theksojnë se ndikim kryesor në këtë nivel ngritjesh çmimesh në muajin që shkoi ka çmimi i ngritur i energjisë elektrike.
Shkumbin Misini, ligjërues i ekonomisë, ka thënë se rritja e pakontrolluar e çmimit të energjisë elektrike po kthehet në një krizë të thellë sociale dhe ekonomike për qytetarët e Kosovës, duke shkaktuar një ç’ekuilibër midis kostos së jetesës dhe të ardhurave që mbeten pothuajse konstante.
“Ky impakt shkon përtej faturës bazë duke shërbyer si një nxitës kryesor i inflacionit, energjia elektrike ka shtyrë çmimet e produkteve të tjera në një rritje të vazhdueshme”, tha ai.
Ndikim tjetër i shprehur dhe i bërë problem thuaja madhor janë brengat e shkaktuara nga vendimi për liberalizim të tregut të energjisë për rreth 1.300 bisnese të Kosovës, të cilat kanë të punësuar 50 punëtorë e kanë qarkullim vjetor më shumë se 10 milionë euro.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se bizneset u detyruan të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike pa paralajmërim, duke u përballur me çmime shumëfish më të larta.
“Kishim njoftim nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike që më 1 qershor të gjitha bizneset e mëdha të dalin në tregun e hapur”, tha Rafuna, duke theksuar se kjo i zuri kompanitë në befasi. Sipas tij, “bizneset nuk ishin të përgatitura. Disa kishin nisur investime në zgjerim, e u detyruan t’i ndalin dhe t’i orientojnë drejt paneleve solare e baterive”.
Ndërkohë, mungesa e konkurrencës në tregun e lirë krijoi hapësirë për monopole.
“Në atë kohë, KEK-u s’furnizonte, NOA refuzoi, dhe vetëm KEDS përmes KESCO-s mbeti furnizues. Çmimi i energjisë u rrit 200 deri në 400 për qind krahasuar me më herët”, ka deklaruar Rafuna.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk është vetëm një kosto plus për familjet, por një barrë sistematike për të gjithë sektorin e biznesit, duke shkaktuar një valë pasojash të ndjeshme”, thotë Misini.
“Kur çmimi i energjisë rritet, bizneset përballen menjëherë me rritjen e kostos operative, duke i detyruar të rrisin çmimet e produkteve apo shërbimeve të tyre. Kjo automatikisht i vendos ato në një pozicion jo konkurrues në treg, duke e humbur ndjeshëm konkurrencën karshi rivalëve nga Ballkani apo Evropa, të cilët mund të operojnë me kosto më të ulëta.”
Për Thacin e Restaurant Boheme, pavarësisht rritjes së çmimit të energjisë, çmimet në mënunë nuk ka ndryshuar anipse biznesi i tij po përballet me mbijetesën.
E derisa edhe bizneset po përballen me telashe për shkak të rritjes së faturave të energjisë, pensionisti Gërbeshi e qan hallin e kolegëve të tij pensionistë.
“Jetohet, edhe kështu, në këto rrethana, dhe askush në Kosovë nuk ka vdekur nga uria, por, është vështirësua shumë jetesa, sidomos për pensionistët dhe sidomos me ngritjen e madhe të çmimeve, përfundon Gërbeshi me një ton të mekur.