Eurozona pritet që të shmangë recesionin ekonomik gjatë këtij viti

Eurozona pritet ta shmangë recesionin ekonomik këtë vit, sipas një sondazhi që ndiqet gjerësisht nga ekonomistët, i cili ilustron kthesën e madhe në ndjeshmërinë ekonomik botëror gjatë dy javëve të fundit.

Në dhjetor 2022, analistët e anketuar nga Consensus Economics parashikonin se blloku do të zhytej në recesion këtë vit, mirëpo ata presin që Eurozona të regjistrojë një rritje prej 0.1 për qind gjatë vitit 2023. Kjo falë çmimeve më të ulëta të energjisë, mbështetjeve qeveritare dhe rihapjes më të shpejtë nga sa ishte parashikuar të ekonomisë kineze, e cila do të ndikojë në shtimin e kërkesës globale.

Ky përmirësim vjen pasi zyrtarët dhe drejtuesit e bizneseve në Forumin Ekonomik Botëror të këtij viti në Davos pranuan gjithashtu mundësinë për një perspektivë më optimiste dhe FMN-ja sinjalizoi se së shpejti do të përmirësojë parashikimet e saj për rritjen botërore.

“Tani ekziston një rrezik më i vogël se 30 për qind për një recesion nga 90 për qind që ishte vlerësuar verën e kaluar”, thotë Anna Titareva, ekonomiste në UBS.

Titareva thekson se lehtësimi i ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimeve, tregu i fortë i punës dhe teprica e kursimeve janë arsyet që shpjegojnë qëndrueshmërinë ekonomike të Eurozonës.

Rënia e fundit e çmimeve të gazit me shumicë, duke i çuar ato përsëri në nivelet ku ndodhshin përpara pushtimit rus të Ukrainës, ka ndihmuar gjithashtu në përmirësimin e perspektivës ekonomike.

Banka JPMorgan rriti projeksionet e PBB-së së Eurozonës për vitin 2023 në 0.5 për qind, pasi parashikoi që çmimet e gazit natyror do të ishin rreth 76 euro për megavat orë, në vend të pritshmërive të mëparshme prej 155 euro për MWh. /Telegrafi/

Ju rekomandojmë