Euro po qëndron në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, pas fitimeve të realizuara një ditë më parë, në raport me dollarit amerikan. Të dhënat e publikuara në SHBA kanë larguar përkohësisht shqetësimet për një recesion të ekonomisë më të madhe në botë. Edhe pritshmëritë se Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit në takimin e korrikut kanë ofruar një mbështetje për çmimet.
Të dhënat zyrtare treguan se besimi konsumator në Shtetet e Bashkuara u rrit në nivelin më të lartë në 2 vite e gjysmë, gjatë qershorit, ndërsa edhe shpenzimet e bizneseve vijuan tendencën në rritje. Tashmë, investitorët po vlerësojnë 77% mundësi që Rezerva Federale të rrisë edhe me 25 pikë bazë normën bazë të interesit, në takimin e muajit të ardhshëm. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare, po qëndron në rreth 102.5, ndërsa gjatë këtij muaji ka rënë me rreth 1.5%.
Investitorët po presin edhe fjalimin e Presidentit të Rezervës Federale, Jerome Powell, në Forumin e Bankës Qendrore Europiane në Sintra të Portugalisë. Powell do të jetë në një panel me guvernatorët e bankave qendrore më të mëdha të botës, si BQE, Banka e Anglisë dhe Banka e Japonisë. Në tregun e kriptomonedhave, bitcoin po qëndron në rreth 30,300 dollarë, ndërsa ethereum po tregtohet në rreth 1860 dollarë./scan/