Reklama

Ekspertët thonë se “më shumë shpenzon rrymë një aparat kafeje, sesa kompjuterët që prodhojnë kriptovaluta”

Qeveria e Kosovës ndalojë prodhimin e kriptovalutave për të kursyer rrymë. Në vendim u tha se këto pajisje shpenzojnë shumë. Por, ekspertët e kanë përqeshur vendimin e qeverisë, sidomos argumentimin. Për Shqip.com, Ejup Qerimi, thotë se shepenzimin e kanë më të vogël se një aparat kafeje.“Në vitin 2021 është rritur konsiderueshëm konsumi i energjisë elektrike. Një ndër faktorët e rritjes së konsumit besohet të jetë prodhimi i kriptovalutave në vend, me theks të veçantë në veri të vendit, ku për shkak të mospagesës të energjisë elektrike, prodhimi i kriptovalutave konsiderohet të jetë më i larti në vend”.

Kështu e ka arsyetuar për Gazetën Shqip.com, Ministria e Ekonomisë vendimin e marrë më 4 janar për ndalimin e prodhimit të parasë digjitale, si shkak i rekomandimit nga Komiteti Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”, i cili është themeluar në fund të vitit të kaluar.

“Sa për ilustrim, prodhimi i një kriptovaluteje duke marrë parasysh shifra konservative konsumon energji sa afro 19 shtëpi kosovare mesatare në vit”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Por. nga Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), thonë se nuk posedojnë shifra se sa mund të jetë konsumi i energjisë elektrike nga prodhimi i kriptovalutave. 

Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala, ka deklaruar për Gazetën Shqip.com se “për shkak të kompleksitetit të veprimtarisë dhe mënyrës së operimit të rrjetit dhe funksionimit të pajisjeve që kryqen në rrymë, e kemi të pamundur një kalkulim të tillë”.

Të njëjtit, nuk kanë të dhëna as për konsumin e energjisë në Mitrovicën e Veriut, vend në të cilin shumë herë është raportuar se ka “ferma” të minning (procesi i prodhimit të kriptovalutave).

“Sa i përket veriut të vendit, ne atje nuk kemi qasje as nuk i furnizojmë me energji elektrike”, ka deklaruar Buzhala për Shqip.com.

Përveç arsyetimit nga Ministria e Ekonomisë se ushtrimi i kësaj veprimtarie ndikon në konsumim të madh të energjisë elektrike, nga kjo ministri vlerësojnë se nga ushtrimi i kësaj veprimtarie nuk ka punësim të fuqisë punëtore “si dhe prodhuesit e kriptovalutave nuk paguajnë taksa për këtë aktivitet në Republikën e Kosovës, pasi kjo veprimtari nuk është e rregulluar me ligj”.

E nga Administrata Tatimore e Kosovës më 3 dhjetor të vitit të kaluar kishin lëshuar një njoftim ku kërkonin që qytetarët e Kosovës të cilët gjenerojnë të ardhura nga kriptovalutat, duhet t’i deklarojnë dhe të paguajnë tatim për to.

Administrata Tatimore e Kosovës, u bënë thirrje të gjithë personave që të deklarojnë të ardhurat e krijuara apo të korrigjojnë sa më parë deklaratat e tyre dhe të përmbushin të gjitha detyrimet tatimore të parapara me legjislacionin tatimor”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Ju rekomandojmë