Qeveria e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 kWh energji.
Si amvisëritë ashtu edhe bizneset nuk do të preken për 600 kWh e parë.
Ish-ministri Fadil Ismaili thotë se me rritjen e konsumit dhe shtrenjtimin e rrymës në bursat ndërkombëtare qeveria është dashur të bëj zgjidhje.
“Kthimin e bllok-tarifave e konsideroj pozitive dhe një gjë e tillë është dashur të bëhet edhe më herët. Kjo formë e strukturës tarifore reflekton gjendjen e sistemit energjetik të Kosovës dhe përçon mesazhin se energjia elektrike duhet të shfrytëzohet në mënyrë sa më efiçente”, deklaroi Ismaili, për RTV Dukagjinin.
Por propozimi është kundërshtuar ashpër nga Balkan Green Fundation që kanë disa propozime për ZRrE-në.
“Duhet të rritet kufiri për secilin bllok të propozuar së paku me 200 kWh. Opsioni tjetër është që të ketë rritje për të gjitha kategoritë në mënyrë që të mos dëmtohet shumë vetëm një kategori”, deklaroi Besfort Kosova nga Balkan Green Fundation, përcjell Telegrafi.
Qeveria ka ndarë 75 milionë euro për të mbuluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike për amvisëri dhe biznese.
Një ditë pas propozimit të dhënë ZRrE thotë se me tarifat e reja favorizohen konsumatorët që e kursejnë energjinë elektrike.
“ZRRE është e obliguar me ligj të përcaktojë tarifa që e reflektojnë koston e ofrimit të energjisë tek konsumatorët dhe të dizajnojë tarifa që e nxisin efiçiencën e energjisë. Struktura tarifore me blloqe i favorizon konsumatorët që e kursejnë energjinë”.
Afati i fundit për dërgimin e komenteve është 28 janari, derisa ndryshimet në rast miratimi hyjnë në fuqi nga shkurti.
Kohëve të fundit qytetarët e Kosovës janë përballur me reduktime të energjisë elektrike për shkak të rënies së Bllokut B2 dhe ndryshimit të çmimeve në tregjet botërore./Telegrafi/