Në Kosovë, ndodhi dhe vazhdon të ndodhë ngritja e çmimeve edhe sivjet, kur në mbarë botën, sikundër qysh është paralajmëruar, kanë nis të shënohen trende të prekshme të uljes së çmimeve të shumicës dërmuese të produkteve (të energjisë elektrike, të disa produkteve elementare ushqimore, të patundshmërive dhe të shumë mallrave industriale). Ngritje çmimesh në vendin tonë ndodhën, sidomos, tek artikujt elementar ushqimor, ata të shportës pra dhe të higjienës, për të arritur sot në nivelin mbi çmimet e produkteve të njëllojta në Gjermani, në Francë, në Itali dhe në shumë vende të tjera të Perëndimit.
Buletini Ekonomik
Sektori i çmimeve në Kosovë praktikisht në gjithë periudhën e pasluftës ka qenë jashtë kontrollit institucional.
Tendenca anarkike në fushën e çmimeve dhe ecuritë e çregulluara dhe jo normale në këtë sektor, po mbretërojnë në vendin tonë (ndër më të varfërit në rajon dhe përtej sidomos,) që nga shpërfaqja e pandemisë Covid 19, e sidomos nga nisja e luftës ruso-ukrainase. Që nga kjo kohë, rreth 2-3 vjet e më shumë, në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar stihia, anarkia dhe kaosi.
Autoritetet, zyrtarët kompetentë dhe dikasteret qeveritare në tërë këto vite kanë zgjedhur mënyrën më të lehtë për ta anashkaluar këtë problem serioz, duke ua “mbyllë gojën” qytetarëve të shumtë ankimues për keqpërdorimet, sidomos për ngritjet enorme dhe jashtë çdo logjike të tyre, me “arsyetimin” se në kapitalizëm, rendin shoqëror të përqafuar tashmë edhe nga Kosova, “tregu është rregullator i çmimeve” dhe se ligjin e tregut, gjegjësisht çmimet i përcaktuaka ligji i ofertës dhe kërkesës. Natyrisht, këto arsyetime të qeveritarëve, i kanë shfrytëzuar për mrekulli tregtarët, thuaja të gjithë, por më së shumti ata matrapazët dhe tregtarët me prirje manipulative, duke i ngritur çmimet në stratosferë, madje jo në pak raste duke e ngritur marzhën e fitimit përtej qind për qindëshit të shumicës së produkteve që përmban tregu kosovar.
Praktikisht, tregtarët, shumë sish fare të pandërgjegjshëm, u dëshmuan se janë të paprekshëm dhe vepruan rreth ngritjes së çmimeve, siç iu tek atyre, edhe në raste krizash, edhe në raste të ditëve më të qeta. Sidomos ngritje çmimesh ndodhën tek artikujt elementar ushqimor, ata të shportës pra dhe të higjienës, për të arritur sot në nivelin mbi çmimet e produkteve të njëllojta në Gjermani, në Francë, në Itali dhe në shumë vende të tjera të Perëndimit.
Dhe, në Kosovë, ndodhi dhe vazhdon të ndodhë ngritja e çmimeve edhe sivjet, kur në mbarë botën,, sikundër qysh është paralajmëruar, kanë nis të shënohen trende të prekshme të uljes së çmimeve të shumicës dërrmuese të produkteve (të energjisë elektrike, të disa produkteve elementare ushqimore, të patundshmërive dhe të shumë mallrave industriale). Ndërsa, në tregun e Kosovës, edhe më tutje në gjithë këta muaj të 2023-tës, sipas ASK-së (sipas të dhënave të mëhershme), evidentohen çmime të ngritura me përqindje 25,2% (produktet bimore), 21,2% (letra dhe artikujt e saj), 17,7% (artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit, 14,6 % (vajrat ushqyese), etj.
Ndërsa, sipas të dhënave më të fundit të ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,9% në muajin nëntor 2023, krahasuar me muajin nëntor 2022. Kryesisht janë shënuar ngritje çmimesh të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pemët 19,4%, perimet 16,1%, mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake 10,8 %, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat 7,7%, prodhimet ushqimore 7,0%, veshjet dhe këpucët 6,0%, pijet alkoolike, duhani 5,9%, rekreacionet dhe kultura 5,3%. Po ashtu energjia elektrike, gazi dhe lendët djegëse të tjera u rritën me 4,8%, buka dhe drithërat 3,5%, mallrat dhe shërbimet e ndryshme 2,7% dhe mishi (1,2%), dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3,1 për qind në IHÇK-it.
Duhet konstatuar se edhe këto të dhëna të ASK-së për ngritje çmimesh në nëntor, së paku për disa produkte të apostrofuara nga ASK-ja duket se janë goxha të vjetëruara, sepse çmimi i disa produkteve të shportës gjatë nëntorit në Kosovë është ngritur deri në mbi 50 për qind. Çmimi i vezëve në Kosovë, bie fjala, në nëntor është ngritur 2-3 herë dhe atë nga 2,5 euro në 3, pastaj në 3.4 euro për të shkuar në fund të nëntorit në 3,8 euro. Në Kosovë, pra po vazhdon të ndodhë e kundërta e parashikimeve të institucioneve monetare ndërkombëtare, të cilat kishin paraparë që më 2023 të nis trendi i uljes së çmimeve të shumë produkteve dhe bashkë me këtë edhe ulja e përqindjes së lartë të inflacionit.
Thjeshtë, shumë tregtarë, edhe gjatë 2023-tës, nuk përfillën thirrjet e përfaqësuesve të shtetit, për të respektuar ligjshmërinë e tregut, por edhe tendencat e uljes së çmimeve në botë. Përkundrazi, vazhduan me ngritje thuaja të përditshme enorme të çmimeve të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore. Në anën tjetër, shteti i Kosovës nëpërmes përfaqësuesve të vet, sikur u kënaq dhe u shti sikur bëri detyrën me ca masa dhe thirrje të “lodhura”, anemike dhe thuaja pa asnjë ndikim në parandalimin e ngritjes enorme të çmimeve, si në asnjë vend tjetër të rruzullit. Jo pak herë, ata, akuzuan opozitën për pengimin e zbatimit të ligjit. Kurse, opozita, përveç ndonjë zëri të rrallë, që argumentoi pasojat e shfrenimit të çmimeve dhe propozoi edhe ndonjë masë për ta tejkaluar kaosin, u kënaq si gjithnjë vetëm me konstatimin e gjendjes.
Ndërkohë, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ditë më parë, përmes prononcimeve në medie dhe në rrjetet sociale ka akuzuar rëndë kryeministrin Kurti, duke thënë se “po e fsheh normën e inflacionit (norma e rritjes së çmimeve)”.
Bajrami thotë se Qeveria po manipulon me shifra, sërish, duke e anashkaluar normën e ngritjes së çmimeve.
“Po bëjnë manipulim me shifrat, sepse po e anashkalojnë komplet inflacionin që është duke ndodhur në Kosovës. Norma e inflacionit vitin e kaluar ka qenë 11.6%. Sivjet janar-nëntor është 5.3%. D.m.th. nëse e marrim inflacionin për secilin muaj dhe e nxjerrim mesataren, na del 5.3%”, tha ajo.
Nënkryetarja e LDK-së thotë se çmimet që ishin ngritur me një mesatare 11.6%, më pas janë ngritur edhe për 5.3%. Çmimet e produkteve më të konsumuara, Bajrami thotë se janë rritur për 50% në krahasim me dy vjet më parë.
“Kjo nënkupton që 17.9% ne kemi inflacion në krahasim me dy vite më herët për secilin çmim. Por nëse e marrim dhe e shohim strukturën e konsumit, strukturën e produkteve të importit, ne do të vërejmë që pjesa më e madhe e produkteve, edhe që shiten e konsumohen brenda, por edhe që eksportohen, janë produkte që çmimi i tyre në krahasim me dy vite më herët ka lëvizur për 50%. Për shembull, lëndët djegëse, energjia, produktet e qumështit, produktet e mishit, drithërat, vajrat, komplet, nëse i shohim shifrat statistikat e ASK-së, kanë ngritje dyshifrore. Secila prej këtyre, pemët, frutat, perimet, ne i kemi pa të gjithë… Sot një kilogram fasule kushton 6 euro”, ka thënë Bajrami.
“Këto janë produktet për të cilat familjet në Kosovë, ekonomitë familjare e shpenzojnë pjesën më të madhe të të hyrave. Ka mundësi që këpucat që i blejmë unë e ti ose palltot janë me çmimin e njëjtë qysh kanë qenë dhe kur merret mesatarja e çmimeve, merren edhe këto produkte. Por produktet që unë e ti i blejmë në baza ditore dhe secila familje tjetër, nuk e kanë ngritjen 17.9%, e kanë ngritjen prej 30% deri në 50%”, ka shtuar ajo.
Ndërsa, kundrejt këtyre akuzave të nënkryetares së LDK-së, deri më tani nuk pati ndonjë përgënjeshtrim nga zyrtarët. Në këtë mënyrë, po del që edhe sivjet, më 2023, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, janë dëshmuar të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që siç po duket, janë edhe të nxituara dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale. Ndërkohë, kontrollet nga shteti, sikundër edhe efektet e tyre, vazhdojnë të mungojnë, ndërsa pasojat po i bartin kosovarët e varfër sidomos, mirëqenia e të cilëve nën trysninë e çmimeve enorme të larta, veçmas të produkteve esenciale ushqimore, është lëkundur dhe ç’ekuilibruar në përmasa tronditëse. /Buletini Ekonomik/