Dollari amerikan pritet të publikojë humbje javore në mbyllje të sesionit të sotëm, përballë monedhave kryesore ndërkombëtare, ndërsa investitorët po përllogarisin efektet që do të ketë rritja e normës bazë të interesit nga Rezerva Federale, më herët gjatë kësaj jave. Edhe monedhat e cilësuara si parajsa të sigurta kanë humbur terren, për shkak të shpresave se lufta mes Rusisë dhe Ukrainës do të marrë fund, ndërsa në bisedimet e delegacioneve është bërë progres.
Në një bisede telefonike mes presidentit amerikan, Joe Biden dhe atij kinez, Xi Jinping, lideri amerikan paralajmëroi Kinën të mos ofrojë mbështetje për Rusinë, sepse kjo do të shtonte rreziqet gjeopolitike. Në anën tjetër, jeni japonez po qëndron në nivelin më të ulët në 6 vitet e fundit, pasi Banka e Japonisë e mbajti të pandryshuar politikën monetare ultra-lehtësuese.
Monedha europiane vijon të tregtohet në mbi 1.1 dollarë dhe pritet të publikojë fitimet e para javore që nga fillimi i shkurtit, duke u rimëkëmbur nga niveli më i ulët 2-vjeçar. Investitroët do të jenë të fokusuar te bisedimet e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin po tregtohet i qëndrueshëm në rreth 40,500 dollarë.
Lidion Kulla / SCAN