Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke realizuar një aksion ku po kontrollohen dyqanet e telefonave në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.
Ai ka bërë të ditur se deri tash janë kontrolluar 6 dyqane të telefonave, ku janë gjetur dhe konfiskuar disa telefona për të cilët nuk ka pasur taksa të paguara.
Stavileci gjithashtu bëri të ditur se brenda këtyre dyqaneve janë gjetur hapësira të fshehta ku i kanë fshehur telefonat.
“Disa prej pronarëve të këtyre dyqaneve janë duke u intervistuar. Aksioni është duke vazhduar ende”, ka thënë Stavileci. /Telegrafi/