Reklama

Deficiti tregtar i Kosovës thellohet në shtator, importet rriten gati 20%

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të reja për tregtinë e jashtme të mallrave, sipas të cilave deficiti tregtar i vendit ka arritur në 520,5 milionë euro gjatë muajit shtator 2025, duke shënuar një rritje prej 21,2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, kur deficiti ishte 429,4 milionë euro.

Sipas raportit, eksportet arritën në 85,8 milionë euro, ndërsa importet u rritën në 606,2 milionë euro, që nënkupton një rritje prej 19,6% për import dhe 10,7% për eksport në raport me një vit më parë. Këto shifra tregojnë se eksporti mbulon vetëm 14,1% të importit, duke reflektuar varësinë e lartë të ekonomisë kosovare nga produktet e huaja.

Në strukturën e importeve, produktet minerale përbëjnë 14,6%, të ndjekura nga makineritë dhe pajisjet elektrike me 11,3%, metalet bazë me 11,3%, ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani me 11,2%, si dhe mjetet e transportit me 10%.

Ndërsa në anën e eksporteve, pjesën më të madhe e përbëjnë metalet bazë (19,1%), plastika dhe goma (12,5%), produktet minerale (12,4%) dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani (11,5%).

Në aspektin rajonal, vendet e BE-së zënë 41,1% të importeve totale të Kosovës, me Gjermaninë, Italinë dhe Poloninë si partnerët kryesorë tregtarë. Nga ana tjetër, vendet e CEFTA-s përfaqësojnë 14,5% të importeve dhe 47,4% të eksporteve, me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në krye të listës.

Sipas ASK-së, këto të dhëna dëshmojnë një thellim të mëtejshëm të deficitit tregtar dhe një varësi të lartë nga importet, veçanërisht në kategori kyçe si energjia, makineritë dhe produktet ushqimore — faktorë që vazhdojnë të sfidojnë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. /Buletini Ekonomik/

Ju rekomandojmë