Çmimi i tashëm i vezëve në Kosovë (5 euro deri në 6.39 euro kompleti 30 copë vezë), ka tejkaluar ndjeshëm çmimet enorme të larta të shënuara në dhjetor 2022 dhe në janar të 2023-tës, kur 30 copë vezë nëpër markete të Prishtinës dhe të qendrave të tjera komunale kushtonin 4 euro e 29 centë deri në 4,5 euro, që njëherësh ishte çmimi më i lartë për vite të tëra i arritur për këtë produkt.
Buletini Ekonomik
Këto ditë, çmimi i ngritur i vezëve në Kosovë ka tejkaluar të gjitha rekordet e çmimeve të deritashme të larta. Edhe sipas të dhënave zyrtare, asnjëherë në vitet e pasluftës çmimi i vezëve nuk ka qenë 6.39 euro për një komplet prej 30 kokrrash vezë. Rritje ekstreme e çmimit të vezëve, sipas të dhënave ka pasur në dhjetorin e 2022-tës dhe janarin e 2023-tës, por, megjithatë, çmimi i rritur i vezëve më 2022 dhe 2023 nuk ka tejkaluar 5 euro për një komplet vezësh. Në këto vite, çmimi i ngritur dhe shumë i kontestuar kishte arritur te 4,5 deri në 4,65 euro për një komplet. Këto ditë në Kosovë, në raftet e disa marketeve dhe supermarketeve, konsumatori mund të gjejë çmimi përtej 6 euro. Më saktësisht, në media ka defiluar çmimi i fotografuar në një nga marketet e kryeqytetit prej 6.39 euro për 30 kokrra vezë.
Ndërkohë, në shitoret e prodhuesit dhe tregtarit më të njohur të prodhimeve të shpezëve “Konsoni”, çmimi i vezëve fare papritmas këto ditë shkoi nga 4,50 euro kompleti në 5 euro, që i bie se kjo ngritje çmimi është mbi 10 për qind. Nuk ka shumë kohë që Konsoni kishte ngritur çmimin e vezëve nga 4,4 në 4,5 euro.
Në fakt, sivjet çmimi i vezëve, produktit ndër më të konsumuarit nga popullsia shumicë e varfër e Kosovës, është ngritur suksessivisht disa herë te Konsoni, dhe secilën herë nga 30 deri në 50 centë për kompletin prej 30 kokrrash vezësh, që nga muaji korrik 2025. Vetëm gjatë korrikut të sivjetshëm është ngritur 2-3 herë. Në këtë mënyrë, nga 2 euro çmimi i para disa muajve i kompletit prej 30 kokrrash vezë, me ngritjen e fundit (këto ditë të nëntorit 2025) në shitoret e prodhuesit dhe tregtarit të produkteve të shpezëve, ndër më të njohurit në Kosovë, ka arritur saktësisht euro, ose mbi dy herë e sa krahasuar me muajin korrik kur çmimi i një kompleti vezësh tregtohej me 2 euro. Ndërkohë, siç u tha më lartë, në disa markete dhe supermarkete të kryeqytetit çmimi i vezëve këto ditë ka shkuar madje në mbi 6 euro për 30 copë vezë. Çmimi i tashëm i vezëve në Kosovë (5 euro deri në 6.39 euro kompleti 30 copë vezë), ka tejkaluar ndjeshëm çmimet enorme të larta të shënuara në dhjetor 2022 dhe në janar të 2023-tës, kur 30 copë vezë nëpër markete të Prishtinës dhe të qendrave të tjera komunale kushtonte 4 euro e 29 centë deri në 4,5 euro, që njëherësh ishte çmimi më i lartë për vite të tëra i arritur për këtë produkt.
Për rritjen ekstreme të këtyre ditëve të çmimit të vezëve nuk ka asnjë shpjegim zyrtar, nuk ka shpjegime as nga prodhuesit. Shitësit në shitore, shumica e tyre, vetëm ‘rrudhin’ krahët, ndërsa ndonjëri më i guximshëm thotë se ‘çmimin nuk e përcaktojnë ata, dhe se ata vetëm tregtojnë produktin’. Njohësit e zhvillimeve në prodhimtarinë e shpezëve në vend çmimet e fundit të ngritura në këto nivele i konsiderojnë si të pakuptueshme, të paarsyeshme dhe të palogjikshme. Sipas tyre, Kosova tashmë ka kapacitete të mjaftueshme të pularive për të plotësuar nevojat e banorëve të vendit me vezë. Në secilën qendër komunale ka nga një e më shumë ferma moderne dhe të kapaciteteve të mesme të pulave. Në disa qendra komunale ka edhe nga disa pulari, madje. Në anën tjetër, nuk ka ndonjë ngritje çmimi të materialit riprodhues (as të misrit as të produkteve të tjera të nevojshme për prodhimin e ushqimit të nevojshëm për shpezët). Ata e ripërsërisin se në Kosovë tashmë ka kapacitete prodhuese (ferma) të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e Kosovës me vezë.
Vrojtues të tregut të vezëve dhe njohës realë të këtij tregu, në kushte të anonimitetit, i kanë thënë Buletinit Ekonomik se shumë prodhues të vezëve në Kosovë ka ditë që po i eksportojnë vezët në Shqipëri, prej nga ka shumë ofertë për sasi dhe me çmime të leverdishme. Ata ngulin këmbë se ky është një nga faktorët që ka ndikuar në çmimet e ngritura të vezëve në Kosovë.
Por ka njohës të këtij tregu që e ripërsërisin konstatimin se ngritja e çmimeve edhe në këtë vit ka vazhduar hovshëm, ose, pak a shumë, ka tejkaluar mesataren e ngritjes së çmimeve, sidomos të produkteve ushqimore, në dy-tre vitet e fundit. Ndërkohë, siç dihet, dhe siç konstatojnë njohësit e ecurive të konsumit dhe të çmimeve, edhe në këtë periudhë të vitit 2025 (deri në nëntor) grupi i produkteve ushqimore zë vendin kryesor të shpenzimeve te familjet kosovare dhe, praktikisht, zë peshën më të madhe në strukturën e shpenzimeve mujore. Dhe, pikërisht rritja enorme e çmimeve të produkteve ushqimore elementare në muajt e deritashëm të sivjetshëm ka ndikuar ndjeshëm në rrezikimin e jetesës së një numri të madh të qytetarëve të vendit, sidomos të shtresave të varfra dhe atyre të mesme. Por, çka tregojnë të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), për ngritjen e çmimeve deri në shtator?
Në Kosovë, ç’është më keq, për shkak të ngërçit të gjatë politik dhe mungesës së institucioneve më të rëndësishme të shtetit, nuk ka kush të merret me problemet dhe pasojat që shkaktojnë këto lëvizje të pandalshme çmimesh.
Me fjalë të tjera, në Kosovë, çmimet e të gjitha produkteve, por edhe shërbimeve, në një farë mënyre, vazhdojnë të mbeten në “rënie të lirë” dhe fare jashtë kontrollit. Pak kush, për shkaqet e sipërpërmendura, është marrë me to me seriozitetin e kërkuar dhe me përmasat e pasojave të shkaktuara nga rritja e egër dhe e vazhdueshme e çmimeve nga tregtarët, por edhe nga prodhues abuziv edhe në periudhat e fundit. Kanë munguar në të shumtën e rasteve edhe analizat më komplekse dhe më të gjithanshme, edhe të dikastereve përkatëse, edhe të ekspertëve, për të elaboruar shkaqet pse në Republikën tonë dhe më tutje vazhdojnë të ngriten, thuaja shumica e produkteve, edhe të atyre të shportës, edhe produktet e higjienës, edhe produktet të tjera të shumta, siç janë vezët.
Ndër 17 institucionet e vendit, të identifikuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, të cilave iu ka vështirësuar në masë të ndjeshme puna, ose u është bllokuar apo pezulluar aktiviteti në mungesë të Kuvendit të Republikës për muaj të tërë, është edhe Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës, një ndër institucionet e rralla në vend që kishte edhe kompetenca për të hetuar ngritjet jashtëligjore të çmimeve.
Dhe këto fakte janë ndër shkaqet e ngritjes dhe arritjes në çmimin rekord të vezëve në këto vite. /Buletini Ekonomik/


