Pushtimi ushtarak rus në Ukrainë po ka ndikim negativ çdo ditë e më shumë edhe në tregjet ndërkombëtare. Një krizë e tillë ka goditur edhe ekonominë e Kosovës, duke sjellë shtrenjtim të produkteve të ndryshme, sidomos për derivatet e naftës që po shtrenjtohen vazhdimisht.
Çmimet e karburanteve janë ndër faktorët e parë që po ngritën vazhdimisht këto ditë në Kosovë. Prej ditës së djeshme, çmimet e derivateve në vend janë ngritur për 10 centë në litër.
Ndërkohë që çmimet e karburanteve kanë arritur deri në 1 euro e 50 centë, kryetari i Shoqatës së naftëtarëve Fadil Berjani paralajmëron se çmimet pritet të arrijnë deri në 1 euro e 80 centë.
“Çmimet dje kanë qenë 1 euro e 40 centë, sot kanë mbërri 1 euro e 50 centë. Ka pasur rritje ekstreme. Për qytetarët tonë këto çmime janë shumë të shtrenjta, por kjo nuk po varet prej neve, kjo po ndodhë në tërë botën. Sot, çmimi i naftës është 1 euro e 45 centë, benzinës 1 euro e 50 centë. Deri tash kur jeni duke folur çmimet janë për 50 dollarë në ton duke u shtrenjtuar. Për momentin nuk ka të ndalur. Kjo është duke ndodhur në gjithë botën. Organizata prodhuese OPEK ka reduktuar prodhimin, dhe lufta e cila është duke u zhvilluar në Ukrainë, këto kanë bërë që në histori të mos ketë çmime kaq të larta siç janë deri më tani. Siç është duke vazhduar trendi, tek ne çmimet do të bëhen 1.70 centë deri 1.80 centë, ndërsa në vendet në rajon, në Shqipëri dhe Serbi do të arrijë deri 2.50 centë”, ka theksuar ai.
Krahas vendimit të Qeverisë për marzhën e fitimit të naftëtarëve, kryetari Berjani ka kërkuar nga ekzekutivi që ta rishikojë vendimin, pasi sipas tij, është gabim dhe bankroton shumë kompani.
“Sot në orën 11:00 kam takim me ministren e Tregtisë, sa i përket vendimit të Qeverisë, është i gabuar, vendim i cili dëmton dhe i bankroton shumë kompani, ku do të mbesin shumë punëtorë pa punë. Mendoj se ky vendim duhet të rishikohet dhe besoj se do të kenë mirëkuptim, sepse importuesit marzha e fitimit iu ka dhënë 4 përqind, ndërsa shitësve me pakicë 6 përqind. Kjo është shumë gabim”, ka thënë ai./EO
/Buletini Ekonomik/