Krahas rritjes së shumë produkteve esenciale në vend, gjatë vitit 2021 në Kosovë, konkretisht në tremujorin e katërt të vitit paraprak, është rritur edhe çmimi i indeksit të importeve në disa sektorë.
Sipas raporti të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) me titull “Indeksi i Çmimeve të Importit (IÇIMP), TM4 2021” shihet se në tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2021 indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë pati ngritje për 4.9 për qind krahasuar me TM3 2021.
Në anën tjetër, raporti poashtu shpalos të dhëna ku tregojnë se çmimet e importit në Kosovë patën ngritje në një mesatare prej 19.6 për qind ndërmjet TM4 2021 dhe TM4 2020.
Sipas këtij raporti, ngritje më të mëdha u vërejtën tek metalet bazë dhe artikujt prej tyre për 58.1 për qind, poashtu edhe tek produktet minerale me 53.5 për qind, tek artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit një rritje prej 32.7 për qind. Ndërkohë edhe druri dhe artikujt prej tij u rritën për 29.1 për qind vajrat ushqyese për 26.1 për qind, plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre për 20 për qind. Gjithashtu edhe instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës gjatë kësaj përiudhe u rritën për 17.7 për qind, shtazët e gjalla dhe produktet e shtazëve për 14.7 për qind, produktet bimore për 8.6 për qind, pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike për 6.7 për qind, artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani për 5.3 për qind mjetet e transportit për 5.1 për qind, produktet e industrive kimike për 4.4 për qind tekstili dhe artikujt e tekstilit për 2.4 për qind si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar të cilët shënuan një rritje prej 0.6 për qind.
Ndërkohë që ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve të letrës dhe artikujve prej saj me -6.5 për qind, lëkura dhe artikujt prej saj me -4 për qind si dhe këpucët me -0.1 për qind./Buletini Ekonomik/