ASK-ja në fund të tetorit, kur ka vlerësuar kategoritë e konsumit me ndikim më të madh në rritjen e çmimeve (në tetor 2025 çmimet u rritën në një mesatare prej 5.1% në tetor 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024), nuk ka pasur mundësi t’i veçojë edhe disa produkte të tjera, për shkak se çmimet e tyre të hovshme kanë ndodhur në nëntor, siç ndodhi me çmimin rekord dhe të paparë deri më tash të vezëve.
Buletini Ekonomik
Ngërçi i stërgjatur politik dhe mungesa e institucioneve më të qenësishme të vendit (qeveria dhe me muaj të tërë mungesa e Kuvendit), si dhe paralizimi i rreth 17 institucioneve si pasojë e situatës politike (disa janë bllokuar plotësisht, disa punojnë me vështirësi), praktikisht e kanë vënë Kosovën në gjendje anarkike. Kushdo mund të bëjë çka të dojë dhe çka t’i vijë ndërmend, edhe veprime të pashembullta dhe me dëme kolosale për vendin, dhe kurrgjë askujt. Bllokohet kryeqyteti nga ndërprerja e punës së trafikut urban si pasojë kryekëput e kapriceve politike e personale të udhëheqjes së komunës dhe të ministrisë kompetente qendrore në detyrë dhe akuzave reciproke të parreshtura për fajësinë e këtij bllokimi – dhe asgjë askujt.
Publiku, lexo qytetari i thjeshtë kryeqytetas, as që e ka të qartë fare se kush është fajtori i vërtetë për këtë bllokadë. Ngrihen çmimet në qiell të produkteve elementare ushqimore dhe tani në muajin nëntor 2025 çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë praktikisht bëhen ndër më të lartat në rajon dhe përtej, dhe prapë kurrgjë askujt.
Kosova në muajin tetor arriti një shkallë të inflacionit prej 5.1 për qind, niveli më i lartë i inflacionit që prej vitit 2023. Rritja e inflacionit vjen në një kohë kur mesatarja e inflacionit në BE është rreth 2.5%, që i bie se në Kosovë çmimet e produkteve ushqimore janë gati dyfish më të shtrenjta se në shumë vende të BE-së.
Ndërsa pasojat e gjendjes ‘anarkike’ në vend nuk kanë të sosur. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) në Kosovë u rrit në një mesatare prej 5.1% në tetor 2025 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Norma mujore dhe vjetore e inflacionit, sipas IHÇK-së, vazhdon të tregojë presion mbi çmimet e konsumit në vend, duke reflektuar ndryshime të ndjeshme në disa nga grupet kryesore të konsumit, veçanërisht energjinë, ushqimin dhe shërbimet turistike.
Sipas ASK-së, rritja e çmimeve u ndikua kryesisht nga disa kategori të konsumit: pushimet e organizuara (23.7%), biletat e fluturimeve (21%), energjia elektrike (20.3%), pemët (15.3%), kafe, çaj dhe kakao (13.1%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (12.4%), mishi (12.3%) dhe shërbimet hoteliere (9%). Por ASK-ja në fund të tetorit, kur ka vlerësuar kategoritë e konsumit me ndikim më të madh në rritjen e çmimeve, nuk ka pasur mundësi t’i veçojë edhe disa produkte, për shkak se çmimet e tyre të hovshme kanë ndodhur në nëntor, siç ndodhi me çmimin rekord dhe të paparë deri më tash të vezëve. Ndërsa dihet, vezët në Kosovën e varfër janë ndër produktet më bazike dhe më popullore për shtresat e varfra dhe ato të mesme.
Rritja e çmimeve në 5 deri në 6.5 euro për një komplet prej 30 kokërrash vezësh ka ç’ekuilibruar ndjeshëm jetesën e varfanjakëve të vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve sociale dhe të mirëqenies në Kosovë.
Sipas tyre, qeveria (kjo në detyrë) po dështon të ndërmarrë politika efektive për stabilizimin e tregut, ndërkohë që kostot e energjisë dhe mallrave bazë po rriten nga muaji në muaj, duke rënduar ndjeshëm jetesën e qytetarëve.
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve, Besart Dreshaj, ka thënë për media se ka mungesë të veprimeve nga qeveria dhe institucionet përkatëse për të parandaluar rritjen e madhe të çmimeve.
“Kemi mungesë të veprimeve të qeverisë e parlamentit dhe institucioneve përkatëse, askush s’po reagon për ta parandaluar rritjen enorme të çmimeve”, ka thënë Dreshaj për ‘Front Online’.
Ndërsa sipas njohësit të ekonomisë, Lulzim Beqiri, “rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë elektrike, në një kohë kur pagat mbeten të pandryshuara, po ul ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve”. “Ushqimet dhe rryma janë bërë shumë më të shtrenjta, ndërsa pagat mbeten të pandryshuara, duke ulur fuqinë blerëse të familjeve, sidomos atyre me të ardhura të ulëta dhe të mesme”, thotë Beqiri.
Beqiri, siç ka raportuar “Front Online”, ka kritikuar mosfunksionimin e Kuvendit, joaktivitetin e Autoritetit të Konkurrencës dhe qeverinë në detyrë.
“Situata përkeqësohet edhe më tej nga mosfunksionimi i Kuvendit, joaktiviteti i Autoritetit të Konkurrencës dhe fakti që qeveria është në detyrë, duke lënë qytetarët pa mbrojtje institucionale në një kohë kur çmimet po rriten çdo ditë”, ka deklaruar ai, duke kërkuar masa urgjente për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të standardit të jetesës së kosovarëve, sidomos të shtresave të varfra dhe atyre të mesme.
Sipas të dhënave të ASK-së, për shkak të ngritjes së çmimeve edhe Indeksi i kostos së ndërtimeve në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme. Rritja e madhe e kushtëzuar dhe e domosdoshme e pagave të punëtorëve të të gjitha kategorive në ndërtimtari, rritja e çmimit të transportit, e materialeve të ndërtimit dhe të makinerisë, si dhe të kostove të tjera, kanë rritur tepër shumë për rrethanat e Kosovës çmimin e një metri katror të banesave.
Megjithatë, ushqimet – ato të përditshme, të domosdoshme – janë ato që kanë rënduar më shumë në shpenzimet e familjeve, pasi kanë pësuar rritjen më të lartë të çmimeve. Familjet në Kosovë, për shkak të të ardhurave të ulëta, shpenzojnë mbi 40 për qind të buxhetit për ushqime, ndërkohë që 13 për qind është mesatarja europiane. /Buletini Ekonomik/


