E dhëna se 63 për qind e gjithsej kredive janë kreditë për ekonomitë familjare në mikrofinancat e Kosovës është edhe një indikator plus që tregon fare qartë se Kosova po varfërohet me ritëm të përshpejtuar dhe trendi i thellimit të vobektësisë së popullsisë shumicë vetëm sa thellohet. Kosova, është renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi.
Një informacion i dalë nga BQK-ja, më saktësisht nga raporti i fundit i kupolës bankare në Kosovë për muajin korrik 2023, që flet për rritjen e kredive nga mikrofinancat në muajin korrik dhe ku saktësohet se 63 ër qind e këtyre kredive janë për ekonomitë familjare, është edhe një fakt bindës për varfërimin e Kosovës, për mospasjen e kosovarëve të financave të domosdoshme (parasë minimale) për ta përmbyllur muajin dhe për rënien e fuqisë së tyre blerëse.
“Kreditë ndaj ekonomive familjare në korrik 2023 përfaqësojnë 63 për qind të gjithsej kredive të sektorit mikrofinanciar”, theksohet saktësisht në këtë raport.
Ndërsa, dihet se kush dhe çka vlerësohet kredi familiare. Këtë kreditim,sidomos te institucionet mikrofinanciare, të shquara në Kosovë për kamata të larta enorme, ose që barazohen me interesat e fajdexhinjve ilegal në shumë raste, e kërkojnë shtresa më e varfër e qytetarëve të këtij vendi. E kërkojnë ata, që nuk kanë rrugëdalje tjetër për ta siguruar në të shumtën ushqimin e domosdoshëm brenda një muaji dhe të detyruar nga kriza financiare dhe kërkesat e familjes për t’u ushqyer detyrohen të paraqiten të institucionet mikrofinanciare.
Dhe në bazë të këtyre të të dhënave të BQK-së, të tillë qenkan shtuar shumë dhe numri i tyre qenka bërë tronditës, shqetësues dhe frikësues. Sepse, të përfaqësohen 63 për qind të gjithsej kredive vetëm kreditë ndaj ekonomive familjare, vështirë të mund të gjesh në ndonjë vend paksa më normal kudo në botë, ndërsa në Europë jo se jo, në asnjë mënyrë. Kjo shifër në përqindje e kredive për ekonomitë familiare, ose për kreditë e varfanjakëve është edhe një indikator plus që tregon fare qartë se Kosova po varfërohet me ritëm të përshpejtuar dhe trendi i thellimit të vobektësisë së popullsisë shumicë vetëm sa thellohet.
Kosova, siç u njoftua kohë më parë nga mediet, është renditur sërish nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) si shteti më i varfër i Evropës më 2023, bazuar në të ardhurat për frymë, që maten duke llogaritur fuqinë blerëse, një tregues real se sa vlerë ka paraja për banorët e një vendi. Të ardhurat për kokë banori, sipas FMN-së, në Kosovën e renditur e fundit në Evropë, në këtë vit janë saktësisht 15.6 mijë dollarë, Shqipëria, që FMN-ja së në Pasqyrën Ekonomike Globale 2023, e ka ranguar të parafundit për nga varfëria, ka 19 mijë dollarë për frymë, ndërsa ndër shtetet e rajonit, të vlerësuara thuaja të gjitha vende të varfëra nga FMN-ja, pasojnë: Bosnjë e Hercegovina me 19.6 mijë dollarë, Maqedonia e Veriut 21.1 mijë, Serbia me 25.4 dhe në krye të rajonit vijon të qëndrojë Mali i Zi, me 27.6 mijë dollarë.
Ndërsa për të pasur një pasqyrë më të përafërt të domethënies së këtyre shifrave në varfërinë e një shteti, duhet bërë të ditur se mesatarja e Europës është gati 50 mijë dollarë për kokë banori. Edhe treguesi tjetër direkt i përcaktimit të varfërisë së një vendi, ai Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë, të cilin Kosova në këtë vit e ka 5.600 dollarë e rendit të fundit Kosovën, ndërsa Shqipërinë me 7 mijë dollarë, si të parafundit. Dhe, ç’është më keq, parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar shtrihen deri në vitin 2028, ku sërish si Kosova ashtu dhe Shqipëria, vlerësohet se do të vijojnë të mbeten më të varfrat e Europës. Dhe, sipas të gjitha të dhënave që defilojnë nëpër institucionet kosovare, njerëzit më të goditur dhe që po e përjetojnë tash e një kohë të gjatë “në lëkurën e tyre” varfërinë e madhe të Kosovës janë pensionistët, rreth 200 mijë veta, bashkarisht pesionistët me pension të pleqërisë që në Kosovë ka vite është i kornizuar në 100 euro në muaj, dhe pensionistët që gëzojnë pensione në bazë të kontributëdhënies, pensioni i të cilëve sillet nga më pak se 200 deri në 265 euro maksimalisht.
Pensionisti kosovar, nëse nuk ka ndihmë tjetër, qoftë nga familja e ngushtë, apo farefisi, nuk ka mundësi të përmbyllë muajin në asnjë mënyrë me të ardhurat nga pensioni i tij. Nuk ka mundësi të ushqehet asesi si duhet, nuk ka mundësi të blejë barnat e domosdoshme, nuk ka mundësi të pijë një kafe me kolegët, ndërsa për ndonjë pushim eventual as që mund të bëhet fjalë. Me 100 euro pension (numri dërrmues i pensionistëve në Kosovë janë të kategorisë së të moshuarve, ose më saktësisht, diku rreth 149 mijë të tillë), thjesht nuk ia del, nuk ka asnjë mundësi të plotësojë as nevojat elementare. Por edhe indikatorë të tjerë domethënës tregojnë për rrëshqitjen e Kosovës drejtë varfërisë së madhe.
Sipas raportit “Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore, tremujori i katërt 2022“ të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në tremujorin e katërt të vitit të kaluar ka arritur në 11.8 për qind dhe se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë në moshë pune. Fare pak e zbutë problemin e dhëna se në këtë raport konstatohet se mbi 38 mijë të papunë ishin më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ose se shkalla e punësimit ishte 2.3 për qind më e lartë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Papunësia në Kosovë edhe më tutje mbetet shumë e lartë dhe si pasoje e papunësisë dhe mosgjetjes së perspektivës vazhdon ikja e pandërprerë e kosovarëve jashtë vendit. Në këtë mënyrë edhe numri i familjeve përfituese nga skemat e ndihmës sociale mbetet vazhdimisht i madh. Gjatë muajit prill të këtij viti, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21 mijë e 127 familje me gjithsej 83 mijë 811 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 3 mijë e 54 familje. Ndërsa, komuna e Mitrovicës vazhdon të jetë komuna me më së shumti familje nën asisitencë sociale. Në muajin prill nga kjo komunë janë evidentuar 2 mijë e 76 familje nën asistencë sociale, ani se ka një rënie të lehtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Edhe sipas të dhënave për renditjen e shteteve të botës nga i pasuri tek më i varfëri për 2022-ën, Kosova del të jetë shteti më i varfër në rajon, duke u renditur në vendin e 105-të në botë me 13,964 dollarë të ardhura për kokë banori.
Revista “Global Finance” e cila ofron raporte ekonomike, listime apo edhe lajme financiare, ka publikuar renditjen e shteteve të botës nga më i pasuri tek më i varfëri për vitin 2022. Shifrat i referohen Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në publikimin “Prespektiva Ekonomike Botërore, prill 2022”. Shqipëria renditet e 90-ta mes 192 vendeve në total të marra në analizë me PBB për frymë me 17,383 dollarë.
Për varfërinë reale të Kosovës flasin edhe këto fakte: Sipas të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri, me më pak se 2 euro në ditë ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë. Këto janë faktet, ndërsa deklaratat e përfaqësuesve të shtetit për rritje ekonomike, për ulje të papunësisë, për rritje të investimeve të jashtme, për vizione energjetike, për shkallë më të ulët të papunësisë janë më shumë farsë, propagandë e pushtetit edhe të këtij aktual, janë vetëm fjalë. Gjendja sociale e Kosovës është e tejdukshme dhe e prekshme dhe e dëshmuar me të dhënat e sipërfolura. /Buletini Ekonomik/