Nga 1 janari, automjetet me targa të Republikës së Kosovës (RKS), po mund të lëvizin lirshëm nëpër Serbi, bazuar në vendimin e Qeverisë së këtij vendi të miratuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.
Pas këtij vendimi, dhe verifikimit nga ana e Qeverisë së Kosovës se vendimi po zbatohet pa probleme, edhe kjo e fundit ka marrë vendim mbrëmë që automjetet me targa të Serbisë të mund të hyjnë lirshëm në Kosovë, pa pasur nevojë për stikera.
Por, çfarë ndodhë nëse një veturë me targa RKS aksidentohet në territorin e Serbisë?
Mënyra e raportimit të dëmit në rast aksidenti trafiku ku përfshihet automjeti me targa RKS parashikohet në një dokument që ka hyrë në fuqi që nga mesi i vitit 2015.
Në Shoqatën e Sigurimeve të Serbisë deklarojnë për portalin serb N1 se “ekziston që nga gushti i vitit 2015, Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar nën kujdesin e Marrëveshjes së Brukselit, ndërmjet Shoqatës së Sigurimeve të Serbisë dhe të Byrosë Kosovare të Sigurimeve”.
Me atë dokument, palët nënshkruese morën përsipër të garantojnë kompensimin e dëmit të shkaktuar nga i siguruari me targa të lëshuara në juridiksionin e tyre nën juridiksionin e palës tjetër nënshkruese.
“Në kuptimin praktik, nëse një shtetas i Republikës së Serbisë ose një shtetas i një shteti tjetër që viziton Serbinë ka pësuar dëmtim nga një automjet me targa të lëshuara nga Kosova, ai mund ta raportojë atë në Shoqatën e Sigurimeve, të cilët pas plotësimit të dokumentacionit do të paguajnë dëmin”,sqarojnë ata për portalin N1.
Shoqata shton se, nëse kompania e sigurimeve që ka siguruar veturën ka shkaktuar dëmin ka një korrespondent në formën e një kompanie sigurimi që është anëtare e Shoqatës së Siguruesve të Serbisë – “rasti do t’i përcillet të njëjtit për përpunim dhe i dëmtuari do të kompensohet nga ajo shoqëri”.