Në vitin 2020, që njihet ndryshe si viti kur filloi pandemia e COVDI-19, statistikat për investimet e ndërmarrje në Kosovë, tregojnë se pjesa dërmuese e investimeve u realizuan në ndërtim, makineri e pajisje. Investimi për nga madhësia e ndërmarrjes, dominojnë ato të vogla dhe të mesme. Ndërmarrjet e Rajonit të Mitrovicës regjistrojnë përqindje më të lartë të investimeve. Më shumë se gjysma e investimeve, e realizuan me mjetet e tyre vetjake ndërsa pjesa tjetër nga kreditë dhe burimet tjera.
Sipas rezultateve të anketës, investimet në ndërtim (ndërtesa dhe struktura të tjera ndërtimore) zënë peshën kryesore me 77.25 për qind të investimeve, në kuadrin e investimeve totale të ndërmarrjeve të përfshira në anketë.
Investimet e tjera, që zënë një peshë të konsiderueshme janë ato në: makineri dhe pajisje me 18.19 për qind, investimet me një peshë më të vogël janë në produktet e pronësisë intelektuale 0.89 për qind, në investimet biologjike të kultivuara dhe serat në bujqësi me 0.3 për qind si dhe investimet në asete të prekshme (jo të prodhuara) me 3.35 për qind.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, investueset më të mëdha
“Sipas madhësisë se ndërmarrjeve: 15.65% e investimeve janë realizuar nga ndërmarrjet mikro (1-9 punëtorë); 35.83% në ndërmarrjet e vogla (10-49 punëtorë); 40.98% në ndërmarrjet e mesme (50-249 punëtorë); dhe 7.54% në ndërmarrjet e mëdha (250 e mbi punëtorë)”, bën të ditur ASK.
Rezultatet tregojnë se ndërmarrjet në: Rajonin e Mitrovicës kanë rezultuar me përqindjen më të lartë të investimeve 27.25 për qind; Rajonin e Prishtinës 25.77 për qind; Rajonin e Prizrenit 25.62 për qind; Rajonin i Ferizajt 8.71 për qind; Rajonin e Gjakovës 6.28 për qind; Rajonin e Pejës 5.29 për qind dhe Rajonin e Gjilanit 1.08 për qind.
Për nga burimi i fondeve për investime, rezultatet tregojnë se: 57.38 për qind të vlerës së investimeve ndërmarrjet i kanë realizuar nga fondet e veta; 22.27 për qind nga kreditë bankare vendore 11.40 për qind nga kreditoret e huaj, 2.64 për qind nga bashkë-investitorët vendorë dhe 1.88 për qind nga bashkë-investitorët e jashtëm. Ndërkaq, burimet e tjera zënë një peshë më të vogël.