Kompanitë kosovare po vazhdojnë të tregojnë sukses në tregun ndërkombëtar në sektorë të ndryshëm, një ndër to është edhe Kode Labs.
“Ko” për Kosovë dhe “De” për Detroit, shënjojnë emrin e kësaj kompanie e cila është vetmja në vendin tonë që merret më zhvillimin e softuerëve në fushën e patundshmërisë.
Pasi kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara, Edi dhe Etrit Demaj, vëllezër dhe bashkëthemelues u kthyen në Kosovë, ku që nga viti 2018 operojnë me Kode Labs, e që merret me menaxhimin e pajisjeve në ndërtesa komerciale në Amerikë.
Për 7 Ditë me Panxhën, Gentrit Gojani, shef i Departamentit të Teknologjisë tregon për fillet dhe sukseset e kësaj kompanie.
Ndonëse, me këtë profil Kode Labs është e vetmja në Kosovë, në tregun botëror ajo është shndërruar në një sfidues të fortë për kompani të mëdha.
“Na kemi konkurrentë kompani në të cilat kanë investuar në Microsoft dhe IBM si kompanitë ndër më të mëdha që janë qe 20 vjet në treg. Kjo është sfida ma e madhe qysh me e bë softuerin tonë që të konkurrojnë me ato”, tha Gojani.
Po ashtu, ai tregoi për qasjen që ata ndjekin e që i ka bërë mjaft të suksesshëm.
“Ne mendojmë vazhdimisht për klientin, cilat janë sfidat e klientit edhe qysh t’i zgjidhim ato. Jemi mundur të vijmë me një zgjedhje unike. Kjo na ka bërë neve që të veçohemi, kur kemi konkurruar me kompani të tjera, nuk kemi qenë standard”, përfundon ai.
Aktualisht, Kode Labs është duke punuar më Amazon për hapjen e selisë së tyre në Vankuver, ndërsa kanë klientë në Amerikë, Kanada, Angli dhe Australi. /Telegrafi/