Reklama

Bursat europiane bien, teksa nafta rritet sërish mbi 100 dollarë

Aksionet europiane shënuan rënie të mëtejshme të martën, nafta e papërpunuar Brent u rrit mbi 100 dollarë për fuçi dhe çmimet e obligacioneve qeveritare të eurozonës u forcuan, teksa investitorët po vazhdojnë të vlerësojnë ndikimin e pushtimit rus të Ukrainës.

Indeksi rajonal i aksioneve Stoxx 600 ra me 0.2 për qind, indeksi Xetra Dax i Gjermanisë ra 0.5 për qind dhe FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar u rrit 0.2 për qind. Më herët në bursat aziatike u shënuan luhatje në ulje dhe ngritje. Tregjet ndërkohë janë në pritje të diskutimeve që SHBA dhe aleatët e saj do të mbajnë për shfrytëzimin e rezervave strategjike të naftës, në mënyrë që të lehtësohen ndërprerjet e furnizimit.

Indeksi Stoxx po tregtohet rreth 7 për qind më ulët dhe ka shënuar luhatje të shumta javën e fundit, kur fuqitë perëndimore filluan të vendosin sanksionet kundër Rusisë. Investitorët mbeten të kujdesshëm për efektet afatgjata, që do të ketë në rritjen ekonomike konflikti me Rusinë, por gjithashtu janë të vetëdijshëm se rëniet e mëparshme të tregut, si përgjigje ndaj tensioneve gjeopolitike, kanë pasur tendencën të jenë afatshkurtra.

“Historikisht, shumica dërrmuese e konflikteve ushtarake, veçanërisht nëse janë lokale, nuk priren të dëmtojnë besimin e investitorëve për një kohë të gjatë”, thanë analistët e kapitalit të JPMorgan në një shënim për klientët.

Megjithatë, ata paralajmëruan se “çelësi do të jetë kohëzgjatja e dislokimit dhe nëse do të ketë ndërprerje të zinxhirit të furnizimit të mallrave “.

Nafta kalon sërish mbi 100 dollarë për fuçi 

Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 2.6 për qind në 100.51 dollarë për fuçi, pasi kishte rënë ditën e mëparshme, pas një njoftimi nga Kadri Simson, komisioneri i BE-së për energjinë, se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë do të mblidhte një takim urgjent të martën për shtimin e rezervave të naftës.

Pushtimi rus i Ukrainës çoi vazhdimisht çmimet e naftës mbi 100 dollarë për fuçi gjatë javës së kaluar. Prodhimi rus përbën rreth 10 për qind të prodhimit global të naftës.

“Ne kemi luftë në Ukrainë. Ka tubacione të mëdha që vijnë përmes Ukrainës”, u tha Simson gazetarëve në Bruksel pas një takimi të ministrave të energjisë të BE-së.

Rusët mbajnë radhë për të tërhequr paratë 

Në Rusi janë krijuar radhë të mëdha në automatet e tërheqjes së parave dhe degët e bankave, pasi banorët kanë kërkuar të tërheqin dollarët amerikanë për të minimizuar humbjet, pasi sanksionet e çuan rublën në një rënie rekord.

Banka qendrore e Rusisë më shumë se dyfishoi normat e interesit në 20 për qind të hënën dhe ndaloi shitjen e letrave me vlerë vendase tek të huajt në një përpjekje për të frenuar pasojat nga sanksionet.

Yield-i i Bund-it 10-vjeçar të Gjermanisë ra me 0,05 pikë përqindje në 0,1 për qind ndërsa çmimi i instrumentit të borxhit bazë të Eurozonës u rrit. Kthimi i obligacioneve të Italisë ra me 0.1 pikë përqindje në 1.66 për qind.

Në Azi, indeksi i aksioneve të Topix të Japonisë u rrit 0.5 përqind, indeksi Hang Seng i Hong Kongut u zgjerua 0.2 për qind dhe indeksi CSI 300 i Kinës i kompanive të listuara në Shangai dhe Shenzhen u rrit me 0.8 për qind./ Financial Times

/Monitori.Al/

Ju rekomandojmë