Që kur Rusia nis pushtimin e Ukrainës, 198 civilë, përfshirë tre fëmijë janë vrarë.
Kështu të paktën po raporton ministria e Shëndetësisë ukrainase, transmeton lajmi.net.
“Sipas të dhënave të fundit, 198 persona, mes tyre 3 fëmijë, janë vrarë nga pushtuesit, 1115 persona, mes tyre 33 fëmijë, janë plagosur”, ka postuar në Facebook ministri i Shëndetësisë Viktor Liashko, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Ukrinform.
Në të njëjtën kohë, ukrainas të rinj lindin nën granatimet dhe shpërthimet, informoi ministri.
“Dje, dy djem lindën në një maternitet të ngritur në një strehë për bomba në qytetin Kherson. Dy jetë të reja që tashmë kanë Luftën në kodin e tyre gjenetik. Ne dhe ata nuk do të harrojmë dhe nuk do ta falim kurrë! Jeta vazhdon, lindin fëmijë dhe askush nuk mund të na mundë”, theksoi Liashko. /Lajmi.net/