Dega evropiane e bankës shtetërore ruse Sberbank po përballet me dështim financiar, pas një rritjeje të tërheqjeve financiare të shkaktuar nga reagimi i ashpër nga agresioni ushtarak në Ukrainë.
Banka Qendrore Evropiane tha se dega e Sberbank në Evropë do të dështon, pas “tërheqjes masive të depozitave” të lidhura me “tensionet gjeopolitike”. BQE tha se banka ka të ngjarë të mos jetë në gjendje të paguajë borxhet e saj, përcjell Telegrafi.
Deutsche Boerse ka njoftuar se ka pezulluar tregtimin e një numri të letrave me vlerë nga emetuesit rusë. Lista përfshin Sberbank dhe VTB Bank.
Bankat dhe avokatët e tyre po përpiqen të vlerësojnë ndikimin e një vale të re sanksionesh dhe dëbimit të bankave të mëdha ruse nga Sistemi kryesor Botëror i Pagesave (SWIFT) mbi bizneset e tyre.
Trazira e tregut erdhi pasi forcat pushtuese ruse kapën dy qytete të vogla në Ukrainën juglindore dhe zonën përreth një centrali bërthamor, ndërsa izolimi diplomatik dhe ekonomik i Moskës u thellua.
Forcat ruse kanë nisur sulmet në Ukrainë me urdhër të presidentit Vladimir Putin.
Paraprakisht, ai i ka shpallur të pavarura dy rajone separatiste në lindje të Ukrainës. Në vitin 2014, Rusia ka aneksuar edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nxitur lëvizjen separatiste në Ukrainën lindore. Perëndimi i ka dënuar ashpër veprimet e Rusisë, duke i cilësuar si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. /Telegrafi/