Reklama

Artmotion dënohet me 64 mijë euro, Kujtesa më 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe Telkos me 3 mijë euro

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) sot iu ka shqiptuar gjoba katër shpërndarësve të rrjetit kabllor në Kosovë, në vlerë 100 mijë euro.

Sipas vendimit të marrë sot nga Bordi i KPM-së, Artmotion është dënuar me 64 mijë euro, Kujtesa me 26 mijë euro, IPKO me 7 mijë euro dhe Telkos me 3 mijë euro.

Nga fillimi i janarit e deri më tani, në KPM ishin deponuar mbi 300 ankesa nga klientët e këtyre operatorëve për largim pa paralajmërim të kanaleve të DigitAlb-it nga transmetimi.

Klientët e kabllorëve në fjalë ankoheshin po ashtu edhe për pamundësinë e shkëputjes së kontratave para kohe nga kabllorët, edhe pse ndryshimet në platformë ishin bërë pa paralajmërim.

Nga totali i numrit të ankesave të adresuara në KPM, 221 ishin ndaj Artmotion, 87 kundër Kujtesës, 23 për IPKO-n dhe 9 ankesa për Telkosin.

Pas vendimit, kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti ka thënë se KPM ka marrë me seriozitet ankesat dhe i ka dënuar operatorët në mënyrë proporcionale.

Ju rekomandojmë