Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër tre IT-ve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pasi që të njëjtit dyshohen për mashtrim prej më shumë se 100 mijë eurove.
Sipas aktakuzës, në dhjetor të 2020-s, F.H., L.J. dhe Y.K., të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës në cilësinë e zyrtarëve të departamentit të teknologjisë informative (IT), kishin nënshkruar një raport fiktiv që ishte në kundërshtim me gjendjen faktite, duke i shkaktuar dëm material QKUK-së në shumë prej gati 105 mijë eurove.
Ata dyshohet se kishin nënshkruar kontratën si punë të kryer, por në fakt s’i kishin kryer instalimet e kamerave, siç ishte paraparë, në kuadër të tenderit për furnizim dhe monitorim të sistemit të integruar me kamera, me kompaninë “Artech”.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë, po ashtu i njëjti ka propozuar që të pandehurve t’u shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, konform dispozitave të KPRK-së, thuhet në komunikatë.