Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës (AKRK) ka njoftuar se po monitoron nga afër lëvizjet e çmimeve të produktit të peletit, pas informatave për rritje të vazhdueshme.
AKRK thotë se Analiza e konkurrencës tregon se tregu i peletit në Kosovë, pas rritjes së theksuar gjatë vitit 2022, ka hyrë në një fazë relativisht të qëndrueshme gjatë viteve 2023, 2024 dhe fillimit të vitit 2025, pa u identifikuar rritje të pajustifikuara të çmimeve apo sjellje të ndaluara konkurruese ndërmjet ndërmarrjeve. Megjithatë, vlerësohet se tregu mbetet i ndjeshëm ndaj faktorëve të jashtëm, për shkak të varësisë nga importi dhe lidhjes së drejtpërdrejtë me zhvillimet në tregjet rajonale dhe evropiane. Lëvizjet aktuale të çmimeve i atribuohen kryesisht faktorëve objektivë të tregut, përfshirë rritjen sezonale të kërkesës gjatë sezonit të ngrohjes, kostot e furnizimit dhe importit, transportin, magazinimin dhe ndikimet e tregjeve rajonale.
Autoriteti thekson se rritja e çmimeve nuk përbën shkelje ligjore, për aq kohë sa buron nga faktorë objektivë dhe jo nga marrëveshje të ndaluara apo keqpërdorimi i pozitës dominuese.
Megjithëse, AKRK njofton se ka identifikuar një ndërmarrje me pjesëmarrje të konsiderueshme në import, e cila mbetet nën mbikëqyrje të shtuar.
Sipas tyre, nga tremujori i tretë i vitit 2025, janë evidentuar sinjale për rritje të çmimeve në tregun vendor, të cilat lidhen me faktorë sezonalë, ndërkombëtarë dhe të kostos. Nga të dhënat e importit, mbi 10 kompani operojnë në treg, ndërsa katër kompanitë më të mëdha përbëjnë mbi 70% të tregut. Mbi 90% e peletit importohet nga Mali i Zi.
Me këtë rast, Autoriteti thotë se po monitoron sjelljen e ndërmarrjes me pozitë dominuese, duke përfshirë politikat e çmimeve, kushtet e shitjes dhe shpërndarjen në treg. Në rast se krijohen elemente të mjaftueshme ligjore dhe faktike, AKRK tha se do të ndërmarrë hapat proceduralë përkatës, duke filluar hetimin për abuzim me pozicionin dominues. /Buletini Ekonomik/


