Reklama

Afati i fundit sot për dorëzimin e propozimeve fillestare për tarifat e energjisë

Sot është afati i fundit për aplikimet fillestare në procesin e shqyrtimit vjetor të tarifave, pas një jave që nisi me reduktime në furnizimin me energji elektrike.

Kësisoj, më së largu në fillim të javës së ardhshme pritet të publikohen aplikimet e secilit akter për të hyrat maksimale të lejuara, përfshirë atë të KESCO-s, që do të tregojë nëse do të propozohet ngritje e sërishme e çmimit të rrymës ose jo.

Situata e rënduar veçmas në kohën kur nis procesi i shqyrtimit të tarifave, sipas vlerësimit të Kushtrim Ahmetit nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, nuk është e rastësishme.

Referuar arsyetimeve të kompanive dhe hedhjes së fajit tek njëra tjetra, Ahmeti dyshon se kriza po përdoret “për ta bërë të mundshme një rritje të re”

“Kur e sheh këtë situatë çfarë po ndodhë, sidomos prej Dhjetorit e këndej, këto periudhat që s’jemi duke ditë kurrë kur po kemi reduktime, sa po kemi dhe sa s’po kemi, ti e sheh që këtu është duke u luajtur një lojë jashtëzakonisht e fëlliqur dhe e fshehtë për ta shfrytëzuar këtë periudhën e amullisë institucionale dhe vdekjes totale të ZRRE-së, në këtë rast, dhe shfrytëzoje momentumin e tillë ti dhe bëje tash të mundshme”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, Drejtor në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës.

Ai s’ka dyshime për kërkesat që do kenë kompanitë e licencuara.

“Unë jam plotësisht i bindur që të gjitha kompanitë do të kërkojnë rritje të çmimit, të të hyrave të tyre që do t’na bien barë neve si konsumatorë. Dhe kjo nuk është që të bie (barrë) vetëm prej sektorit energjetik, ju po e shihni u rritën çmimet e shërbimeve të gjitha. Rritja në një element e ndikon atë rritjen zingjirore që kemi thënë edhe kur u rritë çmimi për 16.1%”, ka thënë Ahmeti.

KESCO-ja, kompani të cilës ZRRE-ja ia ka vendosur obligimin e shërbimit publik si Furnizues i Shërbimit Universal, ende nuk ka dorëzuar dokumentin me kostot dhe propozimet e saja.

Për paraqitjen e aplikimeve të tyre, ditët e fundit të afatit i kanë pritur edhe akterët tjerë: KEDS, KOSTT dhe KEK.

“Në kuadër të procesit vjetor të shqyrtimeve tarifore, përkatësisht përshtatjeve vjetore të të hyrave të lejuara maksimale për vitin 2026, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka përcaktuar afatin deri më 23 janar 2026 për dorëzimin e aplikimeve/propozimeve fillestare nga operatorët e licencuar. Deri në këtë fazë të procesit, asnjë nga operatorët e licencuar nuk ka dorëzuar aplikimin apo propozimin e tij në ZRRE. Kjo është në përputhje me dinamikën e zakonshme të procesit, duke qenë se afati ligjor për dorëzim ende nuk ka përfunduar”, ishte thënë nga ZRRE dy ditë më parë.

Para fundit të marsit, ZRRE-ja do të bëjë shqyrtimin e propozimeve dhe do të vendosë për vazhdimin me tarifa të njëjta ose të reja të energjisë elektrike, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 1 Prilli.

Ndryshe, në katër vitet e fundit, tri herë janë ngritur tarifat e energjisë elektrike gjatë shqyrtimeve në ZRRE – për herë të fundit në mes të prillit të kaluar, duke nxitur reagime të shumta nga qytetarët e bizneset e vendit.

Ju rekomandojmë