Reklama

A mund t’i rrisë çmimet në Kosovë ndërhyrja ushtarake ruse në Ukrainë?

Kriza midis Rusisë dhe Ukrainës mund t’i rrisë edhe më shumë çmimet e produkteve në tregun e Kosovës, thonë ekspertë të ekonomisë.

Perëndimi, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka nisur tashmë vendosjen e sanksioneve kundër shtetit rus, i cili më 21 shkurt, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës si shtete të pavarura. Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar po ashtu dërgimin e trupave ruse atje.

Këtë veprim Perëndimi e ka cilësuar si shkelje mbi sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe ka paralajmëruar “sanksione shkatërruese” nëse Rusia nis pushtim në shkallë të gjerë.

Ekspertët e ekonomisë thonë se kriza, me doemos, do të ketë ndikim në tregje, marrë parasysh faktin se Rusia është furnizuesja më e madhe e Evropës me gaz natyror. Në përgjigje të krizës apo sanksioneve nga Perëndimi, ka frikë se Rusia mund të zvogëlojë apo ndërpresë furnizimin e Evropës me gaz. Gjermania, Italia dhe Franca janë disa nga shtetet e Bashkimit Evropian, që varen shumë nga gazi rus, e nga të cilat Kosova importon shumë.

Profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skënderi thotë se përshkallëzimi i krizës mund të rrisë koston e energjisë dhe të derivateve të naftës. Rritja e çmimeve të tyre, pastaj, mund të ketë efekt zinxhiror.

“Rritja e çmimit të energjisë dhe derivateve të naftës reflekton në ngritje të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve tjera”, thotë Skënderi.

Një ditë pas vendimit të presidentit rus për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste të Ukrainës, çmimet e naftës dhe të gazit janë rritur me shpejtësi. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, e cila është pikë ndërkombëtare e referimit, ka arritur në 99.38 dollarë për fuçi, apo në nivelin më të lartë në shtatë vjet.

Çmimet e naftës kanë qenë në trend të rritjes edhe më herët, për shkak të, siç është raportuar në mediet ndërkombëtare, tensioneve gjeopolitike dhe pabarazisë në rritje midis ofertës dhe kërkesës.

Në tre-katër muajt e fundit në Kosovë, çmimet e naftës dhe të benzinës janë rritur për 20 deri në 25 centë. Për më tepër, qytetarët e Kosovës janë përballur muajve të fundit me çmime më të shtrenjta edhe të produkteve bazë, si: buka, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët, perimet e të tjera. Për një kategori të qytetarëve është rritur edhe çmimi i energjisë elektrike.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni në janar të këtij viti ka arritur në 7.1 për qind, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë në janar të 2021-shit.

Për rritjen janë fajësuar çmimet më të larta të gazit në botë dhe çrregullimet që ka shkaktuar në furnizime pandemia COVID-19.

Eksperti i ekonomisë Musa Limani thotë se rritja e mëtejshme e çmimeve do të jetë e pashmangshme, nëse konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës merr përmasa më të mëdha. Sipas tij, konflikti do t’i tensionojë tregjet në Evropë dhe Kosova, në mënyrë indirekte, do të ndikohet.

“Një krizë që paraqitet në vendet e Evropës, reflektohet në ekonominë e Kosovës, pasi pjesën më të madhe të të mirave materiale Kosova e importon nga shtetet e Evropës. Kosova nuk ka transaksione ekonomike me Rusinë dhe Ukrainën dhe nuk ka ndikim të drejtpërdrejtë, por në mënyrë të tërthortë mund të ndikojë”, thotë Limani.

Në tregun e Kosovës ka produkte nga Ukraina, por jo në sasi të mëdha.

Sipas Doganave të Kosovës, vlera e mallrave ukrainase, të importuara në vitin 2020, ka qenë rreth 19 milionë euro, ndërsa, vitin e kaluar, kjo vlerë gati është dyfishuar, mbi 36 milionë euro.

Miell, kafe, çaj, vaj, tekstil, qeramikë janë disa nga produktet e importuara vitin e kaluar nga Ukraina në Kosovë. Mallrat që Kosova ka eksportuar në Ukrainë vitin e kaluar kanë kapur vlerën e mbi 22 mijë eurove, ndërsa në vitin 2020 mbi 70 mijë euro.

Ekspertët e ekonomisë thonë se tregtarët në Kosovë kanë mundësi t’i zëvendësojnë produktet nga Ukraina me ato të shteteve të tjera.

“Me këto produkte, tregtarët duhet të furnizohen nga shtetet tjera dhe kostoja të jetë më e ulët dhe mos të reflektojë në shportën e konsumatorit”, thotë Skënderi.

Sipas të dhënave të Doganave, Kosova është skajshmërisht e varur nga importi. Mbi 4.6 miliardë euro ka qenë vlera e produkteve të importuara në Kosovë në vitin 2021, ndërsa shumë më pak, 712 milionë euro, ka qenë vlera e eksporteve.

Kosova importon kryesisht nga Bashkimi Evropian dhe nga vendet nënshkruese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia. /REL/

Ju rekomandojmë