Reklama

Si të ruani të njëjtën pagë kur ndryshoni karrierë

Ne po jetojmë në epokën e Dorëheqjes së Madhe – një periudhë në të cilën njerëzit në mbarë botën po lënë punët e tyre në shifra shumë të larta, duke zgjedhur të eksplorojnë fusha të reja.

Por, kjo tendencë ka ngritur pyetjen: A po e ndërrojnë punonjësit drejtimin e tyre të karrierës, duke pranuar edhe një ulje page? Epo, ky nuk duhet të jetë rasti.

Sado optimiste dhe naive që tingëllon kjo gjë, është e mundur që të ndryshoni drejtimin e karrierës tuaj duke fituar të njëjtën sasi parash që jeni mësuar të fitoni në karrierën tuaj aktuale. Pesë këshillat e mëposhtme mund t’ju ndihmojnë të ruani të njëjtën pagë kur vendosni të ndryshoni karrierën tuaj.

1) Kuptoni se çfarë dëshironi dhe ndiqeni atё

Pavarësisht se kjo mund të duket mjaft e qartë, të dish se çfarë dëshiron dhe ta ndjekësh këtë gjë nuk është edhe aq e thjeshtë. Duhet të jeni aq të guximshëm sa për t’i bërë të dyja këto, nëse synoni të ruani të njëjtën pagë. Josh Jones, një rekrutues senior në Jobvite, shpjegon pse këto hapa janë vendimtarë.

“Punëkërkuesit duhet të vendosin se çfarë ka më shumë rëndësi për ta, përpara se të fillojnë të negociojnë për pagën. Për shembull, ata mund të ndryshojnë karrierën jo për të pasur një pagë më të lartë, ndoshta as për të ruajtur pagën aktuale, por sepse duan një ekuilibër më të mirë punë-jetë ose një kulturë tjetër pune. Është e domosdoshme të merrni kohën e mjaftueshme për të vendosur se cilat përfitime janë më të rëndësishme për ju.”

2) Jini objektiv

Është e lehtë të lejoni dyshimet për aftësitë tuaja dhe frikën që t’ju mposhtin, kur jeni duke konsideruar një ndryshim në karrierë. Në jetë, është e rëndësishme të jeni objektiv, në vend që të shikoni gjithçka bardhezi. E njëjta filozofi vlen edhe për karrierën tuaj. Bethany Corbin, themeluesja dhe trajnerja e karrierës në Legal Adventuress, flet për rëndësinë e të qenit objektiv për të eksploruar mundësitë tuaja.

“Kam parë shumë klientë që, gjatë pandemisë COVID-19, kanë rivlerësuar faktin nëse janë të kënaqur me karrierën e tyre apo nëse duhet të ndryshojnë drejtimin e saj. Shumica e klientëve që po konsiderojnë një ndryshim të karrierës, shprehen se frikësohen më së shumti nga dy faktorë. E para, ata mendojnë se janë shumë të mëdhenj në moshë për të bërë një ndryshim të karrierës dhe kanë ‘mbetur’ tashmë me profesionin që kanë zgjedhur.

E dyta është se ata besojnë që do të duhet të pranojnë një pagë më të ulët për të ndjekur një drejtim tjetër në karrierë. Por, të dyja këto janë të pavërteta.

3) Kërkoni mbështetje për të orientuar mendjen tuaj

Kur merrni një vendim të rëndësishëm për jetën tuaj, siҫ është ndryshimi i karrierës, është e nevojshme që të keni një sistem ku të mbështeteni.

Njerëzit frymëzues, me të njëjtin mentalitet si i juaji, jo vetëm që mund të jenë këshilltarët më të mirë, por gjithashtu mund t’ju ofrojnë një perspektivë të re. Alexandria Butler, sipërmarrëse në fushën e teknologjisë dhe themeluese e “Sista Circle: Black Women in Tech”, tregon mënyrën se si anëtarët e komunitetit të saj në internet ofrojnë mbështetje.

“Në situatën e Dorëheqjes së Madhe, njerëzit po marrin vendimin për të ‘zgjedhur aventurën e tyre’. Ky është një akt i riformulimit të kuptimit të punës, në mënyrë që ata të mos vazhdojnë të emocionohen për thërrimet nga plantacioni i korporatës së tyre. Kjo do të thotë që duhet të shkëputeni nga kushtëzimi i programuar, besimet kufizuese dhe dyshimi për të mësuar aftësitë e nevojshme që do t’ju duhen për të negociuar siç duhet pagën tuaj.”

“Këshilla ime numër një për punëkërkuesit është që të mbështeteni te komuniteti juaj. Pavarësisht nga raca, gjinia, industria, etj., mbështetja është thelbësore për të pasur perspektiva të reja dhe për të shkëmbyer ide.”

4) Rishkruani CV-në tuaj si një histori

Megjithëse CV-të moderne duhet të jenë plot me fjalë kyçe, askush nuk ka thënë se ato duhet të jenë të mërzitshme. Debra Wheatman, një eksperte për CV-të dhe themeluese e Careers Done Write, thotë se CV-ja juaj duhet të jetë po aq tërheqëse sa një histori.

“Për të ruajtur të njëjtën pagë kur ndryshoni karrierë, sigurohuni që të shkruani një letër motivimi të mirë. Kjo letër është një mundësi për të ndarë historinë tuaj. Shpjegoni arsyet pse po e bëni këtë ndryshim në karrierë dhe tregoni mënyrën se si performanca juaj e kaluar dëshmon aftësitë që zotëroni për të dhënë një vlerë të shtuar në pozicionin e ri.”

5) Bëjeni brandin tuaj personal të përsosur

Të gjithë kanë nevojë për një brand personal sot, sidomos punëkërkuesit. Lakesha Cole, publiciste dhe themeluese e “she PR”, flet për mënyrën se si brandimi i vetes suaj ju ofron mundësi më të mira krahasuar me kandidatët e tjerë për një vend pune.

“Brandi personal është reputacioni juaj dhe përshtypja afatgjatë që i krijoni të tjerëve. Është ajo që njerëzit thonë për ju kur nuk ndodheni aty rrotull. Brandi personal reflekton CV-në tuaj, arritjet profesionale dhe faktorin e pëlqyeshmërisë.

Çdo gjë mund të formojë brandin tuaj, që nga profili në LinkedIn, aftësitë e komunikimit, mënyra se si paraqiteni në intervistë dhe ekspertiza juaj në një fushë të caktuar. Një brand i mirë personal rrit pëlqyeshmërinë tuaj dhe mundësitë për të marketuar veten në treg.”

“Mbi të gjitha, brandi juaj personal është ajo që i bën të tjerët t’ju njohin, t’ju pëlqejnë dhe t’ju besojnë. Brandi personal ka të bëjë me ndërtimin e lidhjeve dhe të marrëdhënieve me të tjerët, të cilat janë thelbësore për të ndryshuar drejtimin e karrierës.

Që këto marrëdhënie të funksionojnë, ne duhet ta njohim, ta pëlqejmë dhe t’i besojmë njëri-tjetrit. Ky parim i vjetër është në të vërtetë faktori vendimtar për shumicën e mundësive të karrierës.”/ The Ladders

Ju rekomandojmë