Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mërkurën është votuar edhe propozimi që t’i ndahen nga 100 euro për disa nga kategoritë shoqërore, në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike.
Kryeministri Kurti ka thënë se ky vendim është vazhdimësi e pakos së ringjalljes ekonomike, përfitues të së cilës, sipas tij, janë 720 mijë përfitues.
“Le të mos harrojmë se ky 100 milionësh sivjet është vahzdimësi e 300 milionëshit vjet, nga i cili kanë përfituar mbi 720 mijë përfitues”, deklaroi Kurti.
Për këtë çështje ka folur edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke thënë se meqenëse shteti nuk ka në posedim të dhënat bankare të sektorit privat, do të hapin forma aplikimi për këtë.
“Kjo është në vijimësi të konferencës së djeshme dhe masat e ndërmarra përfshin dyfishimin e asistencës sociale, pensionistëve, mbështetjen e shumës prej 100 euro të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe privat që marrin pagë primare deri në 1000 euro. Meqë si qeveri nuk kemi të dhëna bankare për sektorin privat e studentët, do të hapim forma aplikimi. Do të tentojmë të parandalojmë, me anë të verifikimeve, keqpërdorimin e kësaj shume”, ka thënë ai. /Lajmi.net/