Në Kosovë, vazhdimisht ka pasur raportime për cilësinë e dobët të naftës. Sipas fakteve që kanë ofruar mediat, nafta në Kosovë po tëhollohet me ujë e me vaj për gatim, por lidhur me këtë nuk po deklarohen nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).
Lajmi.net ka kërkuar nga MINT përgjigje lidhur me kontrollin e cilësisë së naftës për çka kjo ministri është përgjegjëse si për informimin e bizneseve po ashtu të qytetarëve, por këta të fundit nuk janë përgjigjur.
MINT nuk ka thënë përgjigje nëse kanë inspektuar, hetuar ose hasur raste të tilla, ndërsa nuk kanë dhënë detaje nëse kanë shtuar inspektimet.
Përgjigje lidhur me këtë çështje, lajmi.net nuk ka marrë as nga Qeveria e Kosovës e as nga Dogana e Kosovës, por në anën tjetër, raportimet për tëhollimin e naftës me materiale të tjera kanë vazhduar.
Javë më parë, rrjeti i Organizatave Joqeveritare “AVONET” pati protestuar para MINT lidhur me kontrollin e cilësisë së naftës duke pretenduar se informaliteti dhe mungesa e kontrollit të cilësisë në tregun e Kosovës po e ndihmon korrupsionin dhe abuzimin, veçanërisht në industrinë e naftës.
Sipas AVONET në Kosovë ka përzierje dhe hollim të naftës nga kompanitë, gjë që e rrit fitimin e tyre, por gjithashtu mungesa e cilësisë së naftës është e dëmshme jo vetëm për veturat e qytetarëve, por edhe të shëndetit publik.
“Në Kosovë kemi të bëjmë me përzierje dhe hollim të naftës nga kompanitë që të rrisin fitimet e tyre. Mungesa e cilësisë së naftës në Kosovë është e dëmshme për shëndetin publik dhe po ashtu dëmton veturat e secilit qytetar duke rritur kostot e mirëmbajtjes së tyre. Krahas kësaj, praktikat korurptive nga kompanitë e naftës dëmtojnë buxhetin publikë duke shmangur pagesën e taksave.”, thuhet në komunikatën që kishte lëshuar AVONET.
Lajmi.net kishte raportuar edhe vitin e kaluar se qytetarët po ankohen në cilësinë e naftës në Kosovë duke thënë se kjo po iu shkakton edhe probleme në servisimin e veturave.

Në anën tjetër, MINT pati reaguar për aktivitetin e AVONET para kësaj m inistrie duke thënë se MINT e bën kontrollin e cilësisë së naftës nëpër laboratorë të akredituar, por në anën tjetër këta të fundit nuk janë përgjigjur në pyetjet konkrete të redaksisë.
“Më 23 shkurt 2022, Rrjeti i Organizatave Jo-Qeveritare “AVONET”, ka mbajtur një aktivitet pranë Ministrisë së Industrisë, Ndermarresise dhe Tregtisë (MINT), me temën “Informaliteti dhe mungesa e kontrollit të qeverisë në tregun e brendshëm po ndihmon korrupsionin dhe abuzimin, veçanërisht në industrinë e naftës”, gjithashtu ka lëshuar komunikatë për media me titull: “Qeveria po i favorizon naftëtarët dhe jo qytetarët e interesin publik”. Për hir të informimit të saktë të publikut, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mision sundimin e ligjit dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, respektivisht Inspektorati i Tregut monitoron rregullisht cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës në tregun e brendshëm, duke u bazuar në Ligjin nr.2004/5 për Tregtinë me Naftë dhe Derivate të Naftës dhe Udhëzimit Administrativ nr.01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës. Monitorimi i cilësisë bëhet përmes marrjes së mostrave dhe testimit në laboratorët e akredituar (brenda dhe jashtë shtetit). Vetëm gjatë vitit 2021 janë testuar mbi 730 mostra të karburanteve të lëngëta të naftës. MINT rithekson se ligji i ri për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme (pas 10 vitesh), me 8 shkurt të këtij viti, është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe i njëjti shumë shpejt do të fillojë të zbatohet. MINT vlerëson se komunikata e lëshuar nga “AVONET” është deklaratë e pasaktë dhe e pabazuar në fakte dhe prova, prandaj si të tillë e konsideron tentim të radhës për zbehjen e qeverisjes së mirë dhe me duar të pastra. Megjithatë, në rast se “AVONET” kanë dëshmi dhe prova lidhur me rastet e favorizimit të naftëtarëve, informalitetit, korrupsionit, abuzimit, përzierjes dhe hollit të naftës, dëmtim të veturave nga karburantet, kërkojmë që rastet e tilla t’i denoncojnë pranë organeve kompetente. Gjithashtu, MINT fton Prokurorinë e Republikës së Kosovës t’i hetojë deklaratat e paqëndrueshme të përfaqësuesve të OJQ “AVONET”, që i kanë bërë në prezantimet dhe publikimet publike dhe në media, më 23 shkurt 2022.”, thuhej në komunikatën e MINT.
Mbetet të shihet nëse institucionet e Kosovës do të ndërmarrin hapa lidhur me kontrollin e cilësisë së naftës ose nafta në Kosovë do të vazhdojë të përzihet e të tëhollohet me ujë e vaj ushqimor. /Lajmi.net/