Reklama

Kësaj here, mediat nuk kanë faj

Ngritjet e çmimeve të artikujve elementarë brenda ditës kanë dëmtuar buxhetin familjar të kosovarëve, popullit me pagën minimale dhe atë mesatare më të ulët në Evropë.

Mediat kanë raportuar për këtë dukuri, por fajin për panik dhe reagime, kësaj here nuk e kanë mediat. Fajin e kanë institucionet. Mediat nuk ishin agjentë të panikut!

Kur çmimi i vajit për gatim arriti deri në 3 Euro e 49 Cent për një shishe, konsumatorit mesatar kosovar, iu “këput filmi”.

Reagimet në rrjete sociale dhe në media ishin të shumta dhe agresive. Disa media publikuan lajme me foto se si çmimet janë ngritur drastikisht brenda një dite, madje pati edhe publikim të faturave të një marketi në Kosovë, që kishte shtrenjtuar çmimin brenda një ore.

Kryeministri Kurti e cilësoi si “fryrje artificiale, në dëm të konsumatorëve”, paçka që fillimisht kishte nevojë të luajë me fjalë dhe me shifra në një prononcim, kur kërkohej që Qeveria dhe organet e saj të reagojnë më shpejt.

Dikur reagoi edhe inspektorati, në bashkëpunim me Policinë, duke mbyllur dy depo ku janë gjetur mijëra litra vaj, në kohën kur në marketet e kompanisë së njëjtë vaji shitej nga 3,49 Euro për shishe dhe ishte kufizuar sasia që mund ta blejë një konsumator.

Çmimet e vajit, brenda ditës sërish u liruan dhe tashmë çmimi për një litër vaj variojnë nga 1.8 deri në 2.2 Euro, varësisht nga marka e vajit dhe marketi ku ato shiten.

Raportimi i mediave dhe reagimi i qytetarëve në këtë rast e ngriti një alarm dhe e “detyroi” Kryeministrin dhe Qeverinë që të reagojnë.

Mirëpo, konsumatorit mesatar kosovar, iu “këput filmi”, për shkak se vaji nuk ishte artikulli i parë elementar që shtrenjtohej drastikisht brenda ditës.

Ditë më herët çmimi i dizellit “fluturoi” deri në 1.8 Euro për litër dhe prapë ishin mediat që tentonin t’i jepnin kuptim situatës duke raportuar, ose duke marrë për bazë postimet e konsumatorëve në rrjete sociale.

Shtrenjtimin jashtë kontrollit të çmimit të naftës, Qeveria tentoi ta “kontrollojë” me vendosjen e çmimit tavan për naftë, në bazë të marzhës së fitimit, mirëpo, ky vendim nuk e parandaloi shtrenjtimin dhe luhatjen e çmimit nga pompa në pompë.

Edhe vendimi për çmimin e naftës, ishte paraprirë nga raportet e shumta të mediave që flisnin për luhatje të çmimeve.

Por, as nafta nuk ka qenë artikulli i parë që është shtrenjtuar drastikisht për një kohë të shkurtër. Shtrenjtimit kanë filluar më energjinë elektrike, dhe rikthimin e bllok tarifës. Marsi do të jetë muaji i parë i plotë kur kosovarët do të paguajnë rrymën me tarifa të reja.

Por, kosovarëve shtrenjtimi i rrymës ka muaj të tërë që po iu kushtojnë në mënyrë indirekte, meqë dihet se Qeveria, vendosur ta subvencionojë importin e rrymës me 100 milionë euro dhe deri më tash dhjetëra miliona janë harxhuar ose në subvencionim të importit, ose në subvencionim të harxhimeve të rrymës për veriun e Kosovës.

Mediat, edhe për çështjen e rrymës kanë raportuar shumë, kanë përgatitur emisione të veçanta dhe hulumtime.

Mediat kanë raportuar edhe për shtrenjtimin e artikujve tjerë, bazuar në hulumtime vetanake ose në pasqyrat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Përtej kësaj , mediat nuk janë kursyer në raportime as për gjetjen e mbi 36 tonëve mish me afat të skaduar në një biznes në Pejë.

Ditëve të fundit kemi pasur rastin të bindemi se mediat megjithatë kanë gatishmëri të raportojnë kur çmimet shtrenjtohen dhe konsumatorët dëmtohen.

Ajo që ka munguar është reagimin i inspektoratit (qendror apo komunal), për manipulime të mundshme, shitje të mallrave me afat të skaduar, ripaketimeve ose dukurive tjera që dëmtojnë konsumatorët.

Paniku dhe reagimet e konsumatorëve, në bazë të fakteve të paraqitur nuk është shkaktuar nga mediat, por nga bizneset e papërgjegjshme dhe nga reagimi i ngadalshëm i institucioneve që janë të thirrura të mbrojnë të drejtat e konsumatorëve dhe konkurrencën fer në treg.

Mungesa e inspektorëve, mos-kompletimi i përbërjes së Autoritetit të Konkurrencës dhe subvencionimi i rrymës elektrike si metodë e zgjidhjes së krizës janë përgjegjësi i institucioneve.

Në anën tjetër, varshmëria totale e ekonomisë nga importi, luhatjet e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë, ndalimi i eksportit të disa artikujve nga ana e shteteve fqinje, janë situata që nuk varen nga Qeveria e Kosovës, por që u kushtojnë shumë qytetarëve të saj.

Në raportimet për shtrenjtimin e çmimeve, mediat nuk kanë qenë agjentë të panikut. Nëse ka pasur panik është shkaktuar nga reagimi i dobët i institucioneve, ose mungesa e kapaciteteve të tyre.

/Kallxo.com/

Ju rekomandojmë