Banka e Anglisë rriti sërish normat e interesit ditën e enjte, në një përpjekje për të ndaluar rritjen e shpejtë të inflacionit, por ajo e zbuti gjuhën e saj në lidhje me nevojën për rritje të tjera të normave pasi konsumatorët familjarë po përballen me një barrë të madhe për shkak të rritjes së faturave të energjisë.
Tetë nga nëntë anëtarët e Komitetit të Politikave Monetare votuan pro rritjes së normës të interesit, nga 0.5% në 0.75%, duke e kthyer nivelin e kostos së huamarrjes në Mbretërinë e Bashkuar në shifrën që kishte para fillimit të pandemisë.
Zëvendësguvernatori i Bankës së Anglisë, Jon Cunliffe, ishte i vetmi që votoi për mbajtjen e normës aktuale, duke paralajmëruar se do të vijë një goditje e madhe e kërkesës për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave.
Të mërkurën, Rezerva Federale në SHBA rriti gjithashtu normat e interesit për herë të parë që nga fillimi i pandemisë së COVID-19 dhe sinjalizoi një plan agresiv për rritje të tjera që do të pasojnë. Ky veprim është në kontrast me qasjen më të kujdesshme që po ndjek Banka e Anglisë.
Banka qendrore britanike ka rritur kështu normat e interesit në tre mbledhje radhazi. Është hera e parë që nga viti 1997 që ndodh diҫka e tillë.
Por investitorët u habitën që asnjë nga politikëbërësit nuk mbështeti rritjen e normës së interesit me 50 pikë bazë, siҫ bënë katër prej tyre muajin e kaluar. Shumica e ekonomistëve të anketuar nga Reuters nuk e prisnin që të kishte ndonjë votë për mbajtjen e normave në nivelin aktual.
“Komiteti i Politikave Monetare mbajti një qëndrim pro normave të ulëta të interesit, i cili bie ndesh me narrativën mbizotëruese në treg dhe me arsyetimin e ndjekur si nga Banka Qendrore Europiane, ashtu dhe nga Rezerva Federale,” tha ekonomisti i Citi, Benjamin Nabarro.
Banka e Anglisë tha se inflacioni pritet të arrijë shifrën 8% në muajin prill, pothuajse një pikë përqindje më shumë se parashikimi i muajit të kaluar dhe katër herë mbi objektivin prej 2%. Banka paralajmëroi se ai mund të arrijë nivele edhe më të larta gjatë pjesës tjetër të vitit.
Rritja e madhe e faturave të energjisë, e nxitur nga konflikti në Ukrainë, nënkupton se presioni mbi buxhetet e familjeve britanike mund të jetë shumë më i madh se kontraksioni rekord i 30 viteve të fundit që kishte parashikuar Banka e Anglisë muajin e kaluar.
Duke reflektuar këto shqetësime në lidhje me perspektivën e rritjes ekonomike, politikëbërësit të enjten kundërshtuan pritshmëritë e investitorëve se norma e interesit do të rritet ndjeshëm, duke shkuar në rreth 2% deri në fund të këtij viti.
“Komiteti gjykoi se një tjetër shtrëngim modest i normave të interesit mund të ishte i përshtatshëm në muajt e ardhshëm, por ka rreziqe për të dyja skenaret e këtij gjykimi në varësi të mënyrës se si do të vijojë situata në perspektivën afatmesme,” tha Banka e Anglisë.
Muajin e kaluar, Komiteti i Politikave Monetare tha se shtrëngimi i mëtejshëm i normave të interesit “mund të jetë një zgjidhje e përshtatshme”./Reuters/