Reklama

FMN: Ekonomia e Ukrainës mund të tkurret deri në 35%

Ekonomia e Ukrainës mund të tkurret me më shumë se një të tretën këtë vit nëse lufta me Rusinë vazhdon, tha Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Deri më tani vendi po përballet me një rënie prej 10 për qind për shkak të pushtimit, i cili ka goditur qytetet e mëdha, ka shkatërruar aeroportet dhe ka nxitur një krizë refugjatësh.

FMN-ja ka dërguar së fundmi një fond emergjent prej 1.4 miliardë dollarë, maksimumi i lejuar sipas rregullave të saj.

“Do të nevojiten miliarda të tjera”, sipas FMN.

Perspektiva ekonomike për Ukrainën u përfshi në një raport të përgatitur përpara miratimit të huasë emergjente javën e kaluar. Vlerësimet u llogaritën duke parë ekonomitë në kohën e luftës në vende të tilla si Libani, Iraku dhe Siria.

“Me luftën që po vazhdon, situata mbetet jashtëzakonisht e paqëndrueshme dhe çdo parashikim në këtë fazë është subjekt i pasigurisë”, thuhet në raport, duke shtuar se ekonomia mund të tkurret nga 25% deri në 35%.

“Vlerësimet në raport duhet “të shihen si një minimum”.

Në vitet 2014 dhe 2015, Ukraina gjithashtu pësoi tronditje ekonomike, me rënien e prodhimit përkatësisht 6.6% dhe 10%, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Por ekonomia e Ukrainës, e cila është shumë e varur nga eksportet, u zgjerua 3% vitin e kaluar, e nxitur nga një korrje rekord e grurit. Prodhimi pritej të rritej me 3.6% në 2022.

Tani, një recesion i thellë dhe kosto të mëdha rindërtimi duhet të priten, në sfondin e një krize humanitare, tha FMN.

FMN planifikon të krijojë mjete për të ndihmuar anëtarët e saj të dërgojnë para për të ndihmuar Ukrainën, e cila ka shpenzuar tashmë ekuivalentin e 1.4 miliardë dollarëve për shërbimin dhe shlyerjen e borxhit të saj të jashtëm që nga fillimi i luftës.

Në një intervistë për BBC, kreu i bankës qendrore të Ukrainës Kyrylo Shevchenko tha se asetet ruse të ngrira në vendet e huaja, si rezultat i sanksioneve, duhet të përdoren për të ndihmuar në rindërtimin e vendit.

“Nevoja për para do të jetë e madhe. Ajo mund të përmbushet përmes huave dhe granteve nga organizatat ndërkombëtare dhe ndihmës direkte nga vendet e tjera. Megjithatë, një pjesë e madhe e financimit nevojitet për t’u marrë si një dëmshpërblim nga agresori, duke përfshirë fondet që aktualisht janë të ngrira në vendet tona aleate.”/ BBC

Ju rekomandojmë