Reklama

Kurioziteti nuk është i dëmshëm! Si liderët kureshtarë krijojnë biznese të suksesshme

Ne jemi mësuar me idenë se të qenët tepër kureshtar do të na fusë në situata të rrezikshme. Por, jo gjithmonë ndodh kështu

 

“Kurioziteti i tepërt është i dëmshëm.” Është koha që ta kthejmë përmbys këtë shprehje, të paktën në fushën e menaxhimit.

Një lider kureshtar nuk është ai që mikromenaxhon njerëzit, duke dashur të dijë gjithçka dhe të përfshihet në çdo gjë. Në fakt, kurioziteti nuk është aspak një tipar negativ.

Lideri kurioz është ai që ka gjithmonë dëshirë të mësojë më shumë, të shikojë vazhdimisht përpara, të kërkojë ide, përvoja dhe mundësi të reja, në mënyrë që t’i bëjë gjërat më mirë.

 

Fuqia e kuriozitetit

Njerëzit që janë kureshtarë nga ana intelektuale, kanë natyrën e një sipërmarrësi, pasi ata nuk i pranojnë gjërat ashtu siç janë, thjesht sepse kështu janë bërë gjithmonë. Këta njerëz janë gjithmonë të gatshëm të marrin përsipër risqe të kalkuluara, si dhe kërkojnë mënyra të reja për t’i bërë gjërat më mirë.

Dëgjimi në mënyrë aktive është thelbësor për aftësitë e çdo drejtuesi. Ai ndikon gjithashtu në shfrytëzimin e fuqisë së kuriozitetit. Nëse një lider angazhohet në mënyrë autentike me të tjerët, me ekipin, kolegët, klientët dhe madje edhe me konkurrentët, krijohen lidhje njerëzore.

Kjo do të thotë se këta liderë janë në gjendje t’i kuptojnë më mirë të tjerët dhe nevojat e tyre. Empatia i bën ata më të mirë në përkujdesin që tregojnë ndaj njerëzve dhe në pranimin e diversitetit. Duke mbështetur të tjerët që të bëhen versioni më i mirë i vetes së tyre dhe duke i dhënë atyre mundësi që të rriten, këta liderë po investojnë në fakt në të ardhmen e biznesit.

Të qenët një lider kureshtar nuk do të thotë që duhet të kesh të gjitha përgjigjet për çdo pyetje. Këta liderë praktikojnë vetëndërgjegjësimin, duke njohur kufizimet e tyre dhe duke pranuar se gabimet janë një pjesë thelbësore e çdo rrugëtimi.

Ata pyesin njerëzit e duhur, bëjnë pyetjet e duhura dhe dëgjojnë përgjigjet.

 

Krijimi i një trashëgimie të kuriozitetit

Liderët kuriozë nuk kanë ego. Ata i njohin pikat e tyre të forta dhe të dobëta, si dhe e rrethojnë veten me njerëz të shkëlqyer. Qëllimi i një lideri të tillë është që të arrijë pikën në të cilën ekipi të mos ketë më nevojë për kontributin e tij për të kuptuar objektivat.

Dhe këtu qëndron bukuria e të qenët një lider kurioz, ata jo vetëm që janë vazhdimisht në kërkim të mundësive dhe ideve të reja, por gjithashtu janë të gatshëm që të ndihmojnë të tjerët në mënyrë aktive, në rrugëtimin e tyre të karrierës.

Një emër i njohur identifikohet me citimin: “Unë nuk jam as shumë i zgjuar dhe as nuk kam ndonjë talent të veçantë. Thjesht jam shumë, shumë kurioz.” Ky emër i njohur është Albert Einstein. Dhe shikoni se çfarë arriti ai, duke revolucionarizuar kuptimin tonë për hapësirën, kohën, gravitetin dhe universin. Mbresëlënëse.

 

Nxitja e një mjedisi ku mbizotëron kurioziteti

Nëse e thjeshtoni të gjithë këtë, kurioziteti ka të bëjë me të bërit e pyejtjeve. Por pyejtjet duhet të jenë ato të duhurat dhe përgjigjet duhet të dëgjohen. Në të kundërt, nuk do të kishte kuptim.

Shumë persona do ta kenë të vështirë të përshtaten në një mjedis të tillë. Truri i tyre është i rrënjosur me zgjedhjen e rrugës më të thjeshtë për të bërë gjërat, jo rrugës së duhur.

Megjithatë, duke ndërmarrë hapa të ngadaltë në llojin e pyetjeve që bëjmë, ne mund ta sfidojmë këtë realitet dhe t’i inkurajojmë ata që të ndryshojnë. Ne mund ta praktikojmë këtë edhe për veten tonë dhe mund ta bëjmë një vlerë thelbësore të biznesit.

Pse e bëjmë punën në këtë mënyrë? Cilat janë alternativat? Çfarë mund të bëjmë për të tejkaluar pritshmëritë e klientëve tanë? Çfarë do të ndodhte nëse do të ndalonim së vepruari në këtë mënyrë? Cila është mënyra juaj e të menduarit?

Të gjitha këto janë pyetje të fuqishme, të thella dhe janë në mendjen e çdo lideri kurioz. Në vend që të pyesni “Kush e ka fajin?” është më mirë të pyesni: “Çfarë mund të mësojmë nga kjo situatë?”. Pyetjet nuk janë mbrojtëse apo gjykuese, ato janë reflektuese dhe orientohen drejt së ardhmes.

 

Krijimi i një kulture kurioziteti

Duke udhëhequr me shembullin e tyre, liderët kuriozë do t’i nxisin edhe të tjerët që të jenë kuriozë. Ata do të ushqejnë një mentalitet të të mësuarit, i cili është i hapur ndaj asaj që është e mundur. Ata do të nxisin një kulturë e cila shtron pyetje më kurioze, e cila kërkon të kuptojë këndvështrime të tjera, ndan qëllime dhe forcon lidhjet dhe besimin.

Në një botë në zhvillim të vazhdueshëm, një biznes i cili mund të përshtatet me ndryshimin e kushteve dhe të reagojë shpejt, mund t’i krijojë vetes mundësinë për rritje dhe sukses të qëndrueshëm. Nuk duhet ndonjë zgjuarsi e veçantë për të parë se kurioziteti ka një rol thelbësor në arritjen e këtij suksesi. Pra, pyetja është, si mund të bëheni më kurioz duke filluar që sot? / Entrepreuner

/monitor.al/

Ju rekomandojmë