Viteve të fundit, tregu i pasurive të paluajtshme në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme, duke e bërë blerjen e një banese më të kushtueshme, sidomos në kryeqytet, ku çmimi i një metri katror është theksueshëm më i lartë se në qendrat e tjera komunale. Në Kosovë, blerja e një banese i kërkon një familjeje mesatarisht mbi 16 vjet të ardhura.
Buletini Ekonomik
Viteve të fundit, sidomos në periudhën pas pandemisë COVID-19 dhe nisjes së luftës ruso-ukrainase, kur në Kosovë ka pasur hov të ngritjes së çmimeve të të gjitha produkteve dhe të shërbimeve, ndër kosovarë ka rënë ndjeshëm fuqia blerëse, ndërsa tregu i pasurive të paluajtshme ka pësuar ndryshime evidente. Në këtë periudhë, blerja e një banese, e kushtueshme gjithsesi (me çmime të ngritura hovshëm në këto vite të një metri katror të banesave), për shumicën e familjeve në Kosovë, sidomos për familjet e shtresës së varfër dhe asaj të mesme, është bërë sfidë e mundimshme. Për të blerë një banesë një familjeje me gjendje ekonomike mesatare tani i duhen mbi 16 vjet të ardhura, ndërsa familjeve të shtresës së varfër shumë më shumë se kaq.
Sipas të dhënave të publikuara nga Numbeo, saktësisht para një viti (në janar të 2025-tës), indeksi i përballueshmërisë për blerjen e një apartamenti, i cili matet nga raporti i çmimit mesatar të banesave me të ardhurat mesatare vjetore të disponueshme të një familjeje për të blerë një apartament në kryeqytetin e Kosovës, duheshin 15.8 vjet.
Meqë me këto statistika aktualisht nuk merret asnjë institucion në vendin tonë, ekspertë të sektorit të çmimeve të paluajtshmërive pohojnë se sivjet, që në fillim të 2026-tës, në Kosovë duhen më shumë vite për një familje për të blerë një banesë. Ky ndryshim, sipas tyre, vjen dhe ndodh për shkak të ngritjes së theksueshme të çmimeve të paluajtshmërive dhe sidomos të banesave dhe rënies së fuqisë blerëse të kosovarëve.
“Tani, për të blerë një banesë një familjeje me gjendje ekonomike mesatare i duhen mbi 16 vjet të ardhura, ndërsa familjeve të shtresës së varfër shumë më shumë se kaq”, vlerësojnë ekspertët.
Më shumë vite të ardhura i duhen familjes kosovare për ta pasur një banesë, sidomos në Prishtinë, ku çmimet e paluajtshmërive dhe në veçanti të banesave janë shumëfish më të larta se në qendra të tjera komunale të Kosovës.
Në përllogaritjen e këtij indeksi përfshihen disa elemente kyçe, si çmimi i një metri katror në qendër dhe periferi, të ardhurat neto, si dhe kushtet e kredive afatgjata. Sa më i ulët të jetë ky raport, aq më e përballueshme është blerja e një apartamenti për familjet.
Të dhënat e publikuara nga Numbeo, në janar të 2025-tës, tregonin se për të blerë një banesë në kryeqytetin e Shqipërisë duhen mesatarisht 16.6 vite të ardhura. Ndërsa, qyteti më i shtrenjtë për blerjen e një apartamenti, sipas këtyre të dhënave, ishte Beogradi, ku një familjeje i duhen mesatarisht 19.6 vite të ardhura.
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut banesat dalin të jenë më të përballueshme. Një familjeje në këtë shtet i duheshin mesatarisht 14.9 vite të ardhura për të mundësuar blerjen e saj. Nga ana tjetër, Mali i Zi renditej si vendi me indeksin më të ulët, ku një familjeje i duheshin vetëm 11.3 vite të ardhura për t’u bërë pronar i një shtëpie, duke e bërë atë destinacionin më të përballueshëm për pasuritë e paluajtshme. /Buletini Ekonomik/

