Reklama

Reagon deputetja Bajrami: “Qytetarët e Kosovës po vidhen çdo ditë përmes tarifave të energjisë”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj sistemit të faturimit të energjisë elektrike në vend, duke e cilësuar atë si “hajninë më të madhe që Kosova ka përjetuar ndonjëherë”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka akuzuar institucionet përgjegjëse se po lejojnë vjedhjen e qytetarëve në baza të përditshme.

Sipas saj, çdo konsumator në Kosovë po përballet me tarifa të padrejta të energjisë, të cilat po rëndojnë buxhetin familjar pa asnjë transparencë.

“Po vidhen 24 orë në ditë, 7 ditë në javë secili qytetar i vendit,” ka shkruar Bajrami, duke paralajmëruar se çështja do të trajtohet edhe në Kuvendin e Kosovës.

Në reagimin e saj, Bajrami është mbështetur edhe në shkrimin e Buletinit Ekonomik, i bazuar në të dhënat e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA). Raporti tregon se tarifa për Fondin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) është rritur ndjeshëm – nga 0.73 euro në 3.14 euro për megavat/orë që nga viti 2023, një rritje gati katërfish.

Hulumtimi i plotë i Buletinit Ekonomik që i referohet Bajrami:

Bajrami ka theksuar se kjo rritje është rezultat i “dështimeve të KOSTT-it dhe ZRrE-së në menaxhimin e fondit”, si dhe favoreve të mundshme ndaj prodhuesve të energjisë së ripërtëritshme, duke e vendosur barrën financiare te qytetarët.

Ajo ka akuzuar gjithashtu ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe kryeministrin Albin Kurti, për, siç tha, “bekimin e kësaj vjedhjeje”. “Militanta, a po e cilësojmë patriotizëm edhe këtë?”, është shprehur Bajrami.

Deputetja ka kërkuar nga opozita, mediat dhe shoqëria civile që të angazhohen për të zbardhur keqpërdorimet në sektorin e energjisë, duke theksuar se përballja me këtë “skandal” është e domosdoshme për mbrojtjen e interesit publik. /Buletini Ekonomik/

Ju rekomandojmë