Reklama

Kosova e “mbytur” në import

Kosova po përballet me deficiti të thellë tregtar, importet po thyejnë rekorde, ndërsa eksportet janë në rënie. Për 9-mujorin e parë të 2025-s, importet ishin gati 8 herë më të larta sesa eksportet.

Në tregjet e Kosovës, raftet janë të mbushura me mallra të huaja – nga buka e përditshme e deri te makinat dhe pajisjet elektronike.

Pasqyra e ekonomisë është e qartë: vendi konsumon shumë më tepër se sa prodhon. Kjo varësi e thellë nga importi ka bërë që deficiti tregtar të arrijë në nivele rekord.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për 9-mujorin importet u rritën me gati 15%, duke arritur në 5.2 miliardë euro.

Vlera e importit në Kosovë është rritur me rreth gjysmë miliard euro në periudhën janar-shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Edhe sasia e mallrave të importuara është rritur rreth 350 milionë kilogramë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas të dhënave nga Doganat. Kosova importoi mallra mbi 4.2 miliardë kg, 3.9 miliardë kg gjatë së njëjtës periudhë të 2024, 3.7 miliardë kg në janar – shtator 2023 dhe 3.5 miliardë kg mallra në janar-shtator 2022.

Përveç kësaj, sfidë tjetër e Kosovës është edhe ulja e nivelit të vlerës së mallrave të eksportuara.

Sipas ASK, në janar shtator janë eksportuar mallra me vlerë 683 milionë lekë, me një rënie prej 1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e fortë e importeve dhe tkurrja e eksporteve kanë bërë që deficiti tregtar të thellohet më tej, duke arritur në 4.5 miliardë euro në vlerë.

Importet ishin gati 8 herë (7.7 herë) më të larta sesa eksportet.

Raporti i mbulimit të eksporteve ishte 13% për 9-mujorin nga 15% të njëjtën periudhë të 2024-s. Kjo do të thotë që eksportet janë vetëm sa 13% e importeve, një nivel ky shumë më i ulët. Për krahasim, Shqipëria e kishte këtë tregues 40% për 9-mujorin 2025.

Nivel të ngjashëm me Kosovën ka Mali i Zi, që e ka këtë raport në 15% për vitin 2024, por ky shtet ka një orientim të madh në eksportin e shërbimeve për shkak të turizmit. Vendet e tjera të Ballkanit e kanë shumë më të zhvilluar eksportin. Në vitin 2024, Serbia e kishte raportin e mbulimit të eksporteve rreth 74%; Maqedonia e Veriut, rreth 70%;  Bosnja e Hercegovina, rreth 58%.

Ju rekomandojmë