Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka bërë një apel të hapur për rritje pagash dhe për vlerësimin e sakrificës së punëtorëve, duke theksuar se puna e tyre ka kontribuar dukshëm në rritjen e prodhimit gjatë vitit të fundit.
Në një deklaratë për media, Kryesia e Sindikatës thekson se minatorët po e ndjejnë çdo ditë rritjen e çmimeve dhe vështirësitë në jetën ekonomike.
“Të gjithë po ndjejmë përditë rritjen e çmimeve, inflacionin dhe vështirësitë ekonomike. Ne, minatorët, prej shumë vitesh kemi punuar me durim dhe solidaritet për ndërmarrjen tonë, duke shpresuar që gjendja të përmirësohet. Kemi duruar pa kërkuar rritje pagash, edhe pse sektorë të tjerë kanë pasur përmirësime.
Tani që qeveria ka paralajmëruar rritje pagash për sektorin publik dhe ka premtuar pagën e 13-të, është e drejtë që edhe menaxhmenti i ndërmarrjes sonë të ndërmarrë hapa konkretë për rritjen e pagave të minatorëve”, thuhet në reagim.
Tutje, Sindikata thekson se gjatë vitit të fundit puna e minatorëve ka sjellë rritje të dukshme të prodhimit.
“Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e minatorëve. Prandaj, kërkojmë që puna dhe sakrifica jonë të vlerësohen e të shpërblehen me rritje pagash, ashtu siç po ndodh në sektorët e tjerë publikë dhe privatë. Çdo ditë rrezikojmë jetën dhe shëndetin duke punuar në kushte të vështira dhe pa mjete të mjaftueshme”, vijon reagimi.
Në fund, Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës shton se, në mungesë të një ligji të veçantë që i mbron, punëtorët shpesh detyrohen të vazhdojnë punën edhe kur rreziku është i lartë.
“Është koha që menaxhmenti të marrë vendime konkrete për mirëqenien tonë: rritje pagash dhe respekt për punën e sakrificat që bëjmë çdo ditë”, përfundon reagimi.

