Reklama

Kosova rrezikon ta nisë vitin 2026 pa buxhet

v

Kuvendi i Kosovës më 26 tetor dështoi ta zgjedhë Qeverinë e re. Mandatari për formimin e Qeverisë, Albin Kurti, prezantoi kabinetin e tij qeveritar, por nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme për ta marrë mandatin.

Kjo situatë ka krijuar vakum institucional, që mund ta çojë vendin drejt një krize buxhetore, meqë Kosova rrezikon të hyjë në vitin 2026 pa buxhet të miratuar.

Sipas vlerësimeve të deputetëve dhe ekspertëve, mosmiratimi i buxhetit për vitin 2026 mund të çojë në pezullimin e pagesave publike dhe ndaljen e investimeve kapitale.

Pas dështimit për votimin e qeverisë së re, përgjegjësia tani ka kaluar tek Presidentja Vjosa Osmani, e cila pritet të thërrasë partitë politike për konsultime.

Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, ka thënë për Reporteri.net se Presidentja do të theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit dhe Planit të Rritjes, si akte thelbësore për stabilitetin institucional dhe zhvillimin ekonomik.

“Presidentja do të bëjë thirrje për kompromis politik që garanton interesin e Kosovës dhe të qytetarëve, duke shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e tyre dhe në funksionimin e institucioneve”, ka deklaruar Kupina.

Në një konferencë për media të hënën, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Ligji për Qeverinë i mundëson ekzekutivit aktual të propozojë projektbuxhetin për vitin 2026 në Kuvend, megjithatë pranoi se “puna nuk përfundon aty”.

“Një vend pa buxhet nuk mund të ecë përpara. Ne kemi të drejtë që ta propozojmë buxhetin për vitin 2026, por duhet parë rrugën ligjore përpara, pasi nuk ka ende komisione parlamentare, e as një mazhorancë të qartë që ta miratojë atë”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, situata e krijuar në Kuvend e bën të paqartë procesin e miratimit të buxhetit në dy lexime, duke theksuar se kabineti i tij mori vetëm 56 vota, pra më pak se shumica e nevojshme prej 61 votash.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se nuk mund të ketë seancë të jashtëzakonshme dhe buxheti nuk mund të futet në rend dite pa u zgjedhur një qeveri e re.

“Jam e hutuar me mungesën e urgjencës nga ana e presidentes. Ajo do të duhej të kishte ftuar partitë që të hënën. Shteti është edhe procedurë – instrument i ndarjes së pushteteve – dhe në këto rrethana nuk e di sa do të ishte e mundur të miratohet buxheti”, tha ajo për RTV21.

Shoqëria civile paralajmëron pasoja për pagat dhe mirëqenien

Në një letër drejtuar presidentes Osmani, 21 organizata të shoqërisë civile paralajmëruan se mungesa e buxhetit të ri mund të paralizojë pagesat për pagat e mësimdhënësve, mjekëve dhe administratës publike, si dhe transferet sociale për qindra mijëra qytetarë.

“E ardhmja financiare e vendit dhe mirëqenia e qytetarëve nuk duhet të bëhen peng i bllokadave politike,” thuhet në letrën e tyre.

Këto organizata kanë propozuar dy rrugë të mundshme:

  1. Qeveria në detyrë ta dorëzojë në Kuvend projektligjin për buxhetin e 2026-s, ose

  2. Kuvendi ta votojë zgjatjen e buxhetit aktual deri në fund të marsit 2026.

Eksperti nga Demokraci Plus, Albert Krasniqi, ka shpjeguar se Qeveria në detyrë, e zgjedhur nga legjislatura paraprake, nuk ka të drejtë të propozojë buxhet për legjislaturën e re.

“Kuvendi, që ende nuk ka zgjedhur qeverinë e vet, nuk mund të miratojë ligje pa pasur ekzekutivin që do t’i zbatojë ato,” ka shkruar Krasniqi.

Edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ndan të njëjtin qëndrim, duke theksuar se as Kuvendi nuk ka të drejtë ta votojë një buxhet të propozuar nga Qeveria në detyrë.

“Në rastin aktual, Qeveria në detyrë nuk është zgjedhur nga kjo legjislaturë dhe nuk i takon asaj,” ka theksuar Shala.

Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, projektligji për Buxhetin e vitit 2026 duhej të dorëzohej në Kuvend më së largu deri më 31 tetor 2025 nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.

Ju rekomandojmë