Kosova pritet që së shpejti të nis lëshimin e barkodave ndërkombëtarë. Kjo nismë vlerësohet se do t’u hapë rrugë produkteve kosovare për njohje dhe prezencë më të gjerë në tregjet ndërkombëtare.
Kjo u bë e ditur pas një takimi të mbajtur mes kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, dhe kryetares së Fondacionit GS1 në Turqi, Elif Muftuoglu.
“Gjatë takimit, u shpreh falënderimi dhe mirënjohja për mbështetjen e vazhdueshme që GS1 Turqia i ka dhënë Kosovës në procesin e anëtarësimit në rrjetin ndërkombëtar të barkodave GS1 – sistem që siguron identifikim dhe njohje globale të produkteve”, u tha në komunikatën për media të Odës Ekonomike të Kosovës.
Falë këtij bashkëpunimi, siç raportohet, GS1-Kosova do të nisë me sukses lëshimin e barkodave ndërkombëtare, duke shtuar kështu vlerën, besueshmërinë dhe sigurinë e produkteve kosovare, si për konsumatorët vendorë ashtu edhe për ata ndërkombëtarë.
Me këtë rast, Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur mirënjohjen e veçantë për GS1 Turqinë dhe kryetaren, Elif Muftuoglu, për bashkëpunimin e sinqertë dhe përkrahjen profesionale në këtë proces të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. /Buletini Ekonomik/

